Për Veselin, Qeveria e Kuvendi me debate shterp në raport me problemet e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka lëshuar akuza në drejtim të Qeverisë dhe Kuvendit se bëjnë debate shterpë në raport me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Lajme

25/03/2017 14:27

“Kam parë hendekun e thellë mes asaj çka duan qytetarët dhe asaj çfarë bëjnë politikanët në debatet shterpe në ulëset e Kuvendit, në qeveri apo studiot televizive”, ka thënë Veseli, sot, në Konventën e PDK-së.

Pas këtij konstatimi, Shefi i PDK’së ka premtuar se koha e debateve shterpë po përfundon.

“Jam sot këtu, që së bashku me ju, të zotohemi për ta mbyllur këtë hendek”, ka shtuar ai.

Aktualisht, Qeverinë e Kosovës e udhëheq Isa Mustafa i LDK-së në një koalicion me PDK-në. Partia e Veselit është në pushtetin qendror prej vitit 2007, kur Thaçi ishte bërë Kryeministër dhe kishte mbajtur këtë pozitë dy mandate.

Pavarësisht kësaj, Veseli ka thënë se politikën do ta kthejë në shërbim të qytetarëve, hallet e të cilëve, thotë t’i ketë dëgjuar në takimet që po i mbanë nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

“Jam sot këtu, për të garantuar, sëbashku me të gjithë ju, se në ditët e ardhshme, Partia Demokratike e Kosovës, partia më besimin më të madh të qytetarëve, do të marrë përgjegjësinë që politikën ta kthejmë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Veç kësaj, Kryetari i PDK-së ka përmendur edhe korrupsionin në administratë, duke thënë se njerëzit janë të zemëruar me këtë problem.

“Kam dëgjuar zëmrimin e njerëzve të thjeshtë me korrupsionin administrativ”, ka shtuar ai.

Në Konventën e PDK-së, Veseli e ka dhënë edhe një premtim për ‘lumturi në fytyrat e fëmijëve tanë”