Për tre vjet 35 mijë kosovarë të kthyer nga Evropa

Mbi 35 mijë kosovarë janë riatdhesuar nga vendet evropiane në tre vjetët e fundit. Vlerësohet se të rikthyerit nuk janë duke përfituar nga fondet që ekzistojnë për ta mbështetur riintegrimin e tyre në shoqëri, pasi nuk janë mjaftueshëm të informuar nga institucionet.

Lajme

07/03/2018 09:07

Në tre vjetët e fundit nga vendet evropiane janë riatdhesuar mbi 35 mijë kosovarë. Në vitin 2015 janë kthyer rreth 18 mijë persona, në vitin 2016 mbi 13 mijë dhe në vitin 2017 mbi 4500.

Pjesa më e madhe e tyre janë kthyer nga shtetet si Gjermania, Zvicra, Suedia, Franca dhe Austria. Vlerësohet se personat e riatdhesuar nuk e marrin mbështetjen e duhur institucionale ndër të tjera edhe për shkak se nuk kanë informata të mjaftueshme për mbështetjen që u takon.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se numri i të riatdhesuarve në tre vjetët e fundit është mbi 35 mijë.

“Në vitin 2015 numri i të ripranuarve me forcë dhe i vullnetarëve është rreth 18 mijë. Në vitin 2016 është 13030 persona. Kurse në vitin 2017 numri i të ripranuarve me forcë dhe i vullnetarëve është 4509 persona”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie