Për të dëshmuar se janë gjallë, vërtetimi i pagesës së tatimit në pronë! – Lajmi.net
Për të dëshmuar se janë gjallë, vërtetimi i pagesës së tatimit në pronë!
Autori: Lajmi.net Sociale 9:35, 3 May 2017
Për të dëshmuar se janë gjallë pensionistët detyrohen ta nxjerrin dokumentin (vërtetimin) se kanë paguar tatimin në pronë, e nëse nuk arrijnë të pajisen me këtë dokument ata praktikisht shpallën “të vdekur” dhe u ndërpriten pensionet, ndërsa i “ringjallin” posa t’i dorëzojnë vërtetimet se e kanë paguar tatimin në pronë

Pensionistët e Kosovës duket të jenë kategoria më e diskriminuar në shoqërinë kosovare. Përveçse pensionet e tyre, si ato të pleqërisë gjithashtu edhe ato kontributdhënëse janë tepër të vogla, më të voglat në të gjithë rajonin, pensionistët kosovarë janë duke u përballur edhe me vështirësinë për të dëshmuar se janë gjallë, një obligim që përsëritet për çdo gjashtë muaj.

Ata tani përveçse duhet të shkojnë vetë (fizikisht) në zyrat e qendrave pensionale nëpër komuna të Kosovës për çdo 6 muaj, së fundi janë urdhëruar që ta nxjerrin edhe dokumentin (vërtetimin) se kanë kryer obligimet nga tatimi në pronë.

Vërtetimi duhet të jetë në emër të tyre, në të kundërtën nuk vlen. Përveç këtij dokumenti krejtësisht joligjor, pensionistët janë të obliguar që ta dorëzojnë edhe ekstraktin e lindjes.

Të lodhur tej mase, ata thonë se u ka ardhur “shpirti në fyt” dhe shumë prej tyre nuk kanë mundur të pajisen me vërtetimin se kanë paguar tatimin në pronë. Në këtë mënyrë shumë prej tyre kanë mbetur pa pensione pasi që qendrat e pensionistëve praktikisht i kanë shpallur “të vdekur”. Ata “ringjallen” kur të arrijnë t’i nxjerrin vërtetimet se kanë paguar tatimin në pronë, por kjo punë në disa raste shkon edhe me muaj, pasi që pothuajse shumica e familjeve të pensionistëve nuk kanë arritur t’i kryejnë obligimet nga tatimi në pronë për shkak të gjendjes së rëndë sociale në të cilën ndodhen.

 Radhë për vërtetime

“Nuk po di as nga me ia mbajt, vërtetimin nuk po ma japin se nuk kemi mund me pagu tatimin në pronë, si familje jemi në gjendje të rëndë, pensioni që marr unë prej 75 eurosh nuk bën as tri ditë, se po duhet me ble barna Tash ma kanë ndalë pensionin, po thonë bjere vërtetimin se e ke paguar tatimin. Vallahi veç mu mbyt diku se nuk po di çka me ba”, thoshte një plak nga Llausha e Skenderajt, i cili priste në radhë para sportelit në Drejtorinë për Ekonomi e Financa të Komunës së Skenderajt, me shpresën se do t’i ndihmojë dikush për ta pajisur me këtë dokument.

Zyrtari për pensione në Komunën e Skenderajt, Ruzhdi Nura, zyra e të cilit ndodhet në Qendrën për Punë Sociale thotë se ai është i detyruar që t’i zbatojë vendimet e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, gjegjësisht të Departamentit për Pensione, e cila ka urdhëruar që secili pensionist që duhet të paraqitët për çdo 6 muaj për të dëshmuar se është në jetë duhet patjetër ta dorëzojë vërtetimin se e ka paguar tatimin në pronë si dhe ekstraktin e lindjes.

“Dokumenti ose vërtetimi për pagesën e tatimit në pronë si dhe ekstrakti i lindjes janë kritere që duhet plotësuar secili pensionist që është i obliguar të dëshmojë se është ende në jetë për çdo 6 muaj. Deri më tani këto dokumente nuk janë kërkuar, ka qenë e mjaftueshme vetëm prezenca e tyre (pensionistëve) fizike, por tani këta të Ministrisë na kanë njoftuar se duhet patjetër pensionistët t’i dorëzojnë edhe këto dy dokumente, vërtetimin për kryerjen e obligimeve nga tatimi në pronë dhe ekstraktin e lindjes. Në komunën e Skenderajt ka shumë pensionistë që u janë ndërprerë pensionet, sikurse pensionistëve të pleqërisë ashtu edhe atyre kontributdhënës”, i ka thënë Gazetës Nura të martën. Situatë e njëjtë është edhe në Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Istog, por edhe në komunat tjera të Kosovës, pasi që urdhëresa e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale vlen për të gjithë njësoj.

Nuk përgjigjen

Gazeta është përpjekur të kontaktojë përmes telefonit me zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, përkatësisht me udhëheqësin e Divizionit të Pensioneve, Bahri Xhaferi, por në telefonin zyrtar të tij nuk është paraqitur askush.

Ndryshe kushtëzimi me pagesën e tatimit në pronë për t’u pajisur me dokumente personale si dhe për çdo dokument tjetër është në kundërshtim të plotë me ligjet e Kosovës, e aq më pak për ta kushtëzuar një pensionist për ta realizuar të drejtën e tij për të marrë pension, të pleqërisë apo kontributdhënës. /Zëri

Fotolajm

Kim Jung, bëhet pjesë e batutave
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master Japan
  • Play Supercar Showdown
  • Play iStunt 2
  • Play Bike Rivals