Për Shpirtin e Gjakovës

AKR hap fushatën elektorale edhe në Gjakovë. Behgjet Pacolli e quajti Mimoza Kusarin si politikanen më të suksesshme. Ai tha se ajo do të fitojë në raundin e parë me 60 për qind të votave.

Lajme

03/10/2013 17:19

Aleanca Kosova e Re ka hapur fushatën zgjedhore edhe në Gjakovë, ku kandidon me Mimoza Kusari-Lilën.

Në hapje të fushatës në Gjakovë pasditen e së enjtes ka zbarkuar pothuajse tërë udhëheqja e kësaj partie, për t’i dhënë mbështetje Ish Zëvendëskryeministres.

Tubimi zgjedhor u mbajt në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”, ku Mimoza Kusari u shpreh e bindur në fitoren e saj.

Ajo premtoi zhvillim ekonomik, më shumë të punësuar, infrastrukturë më të përparuar dhe motiv për të rinjtë, që të mbesin në Gjakovë.

Tha se kësaj radhe do e realizojë fitoren dhe Kosova për herë të parë do të ketë një kryetare të parë të komunës femër.

“Së bashku do të shohim aeroplanët duke u ngritur dhe ateruar nga Aeroporti i Gjakovës. Së bashku do të shohim zonën e lirë ekonomike duke u ngritur dhe lulëzuar. Bashkë do të punojmë me të gjithë të cilët kanë synimin e njëjtë me ne, me agjencitë e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, donatorët, kompanitë.”

“Raporti ynë me nivelin qendror nuk do të jetë në interes të politikës ditore, duke e sakrifikuar mirëqenien e qytetarëve të komunës. Por, do të punojmë, do të bashkëpunojmë dhe veprojmë pas projekteve të cilat sjellin vlerë për jetën tuaj, për mirëqenien e fëmijëve tanë.”

Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ilaçi i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës është vota e lirë e qytetarëve.

“Forca e ndryshimit, dëshira e ndryshimit shkon përtej ndasive gjeografike, përtej ndasive fetare, gjinore dhe atyre të moshës.”

“Këto zgjedhje do të tregojnë forcën e shembullit dhe jo shembullin e forcës. Shembulli i forcës është ai i cili ka synuar të përcjellë këtë komunë. Por, ata që me forcë mundohen të imponojnë vullnetin qytetarit, ata të cilët verbëria e pasurimit individual nuk i lë të bëjnë as edhe një hap të vetëm pa interes, nuk janë ata të cilët përfaqësojnë komunën e Gjakovës, nuk janë ata që duan të gjejnë zgjidhje për dhimbjet e Gjakovës. Ata janë sëmundja e Gjakovës, sëmundje kjo të cilës ia kemi gjetur ilaçin. Ilaçi për ta është vota juaj e lirë dhe kësaj radhe e mbrojtur më shumë se kurrë më parë.”

E Behxhet Pacolli, që e quajti Mimoza Kusari-Lilën politikanen më të suksesshme, tha se ajo do të fitojë në raundin e parë, me 60 për qind të votave.

“Mimoza do t’ia kthejë Gjakovës shpirtin që i ka munguar”, tha ai.

“Nuk mjafton vetëm të investohet koha, paraja ose energjia. Aty duhet gjithsesi shpirti, dhe e pamë në fotografi këtu ku mungon shpirti për Gjakovën, parat janë harxhuar, koha është harxhuar, ka munguar dituria dhe shpirti, ka munguar dashuria. E këtë Mimoza e ofron në Gjakovë.”