Për SHBA, e pranueshme çdo qeveri që është në përputhje me Kushtetutën

Çështja e krijimit të koalicionit qeverisës u takon liderëve të Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me Qeverinë e Kosovës pa marrë parasysh kush do ta krijojë atë, nëse ajo do të jetë rezultat i një procesi të drejtë, kredibil dhe transparent.

Lajme

11/06/2014 09:14

Ky është pozicioni zyrtar amerikan i shprehur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të martën pasdite, kur lajmi për nënshkrimin e koalicionit LDK-AAK-Nisma ishte konfirmuar, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

“Strategjitë dhe diskutimet vendore politike për koalicionet e mundshme janë në përgjegjësinë e liderëve të Kosovës”, tha për “Kohën Ditore” Elie Teichman, zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

“Sikur që kemi thënë vazhdimisht, Ambasada e Shteteve të Bashkuara është e gatshme të përfshihet me cilëndo qeveri që rezulton nga zgjedhjet e drejta, kredibile dhe transparente”, tha Teichman.

“Presim që të gjithë hapat e ardhshëm në krijimin e një qeverie të jenë konsistentë me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”.