Për riprocedimin e Demarkacionit vendoset pas kthimit të Mustafës nga Brukseli

Koha e riprocedimit  të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, do të vendoset nga kryeministri Isa Mustafa.

Lajme

26/04/2017 12:38

Mustafa i cili po qëndron në Bruksel për të bindur zyrtarët atje që Kosovës t’i hiqen  vizat me kusht që demarkacioni të ratifikohet brenda një periudhe 2 vjeçare, të martën nga zyrtarë të BE-së ka marr përgjigjeje negative për propozimin e tij, ku i është kërkuar që demarkacioni të ratifikohet sa më shpejt.

Ndërsa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se koha kur do të riprocedohet demarkacioni vendos kryeministri, shkruan lajmi.net.

Bajram Gecaj këshilltar i kryeministri Mustafa për lajmi.net ka thënë se kreu i qeverisë është ende duke vazhduar lobimin në Bruksel dhe janë në pritje të rezultateve të kësaj vizite.

“Është Kryeministri ai i cili vendose përfundimisht se kur duhet te shkoi kjo marrëveshje ne Kuvend. Njëherë duhet te shohim çka po sjell kryeministri nga Brukseli. Kryeministri Mustafa është ende ne Bruksel dhe lobimi ende nuk ka përfunduar”, ka thënë Gecaj për lajmi.net.

Edhe pse ishte paralajmëruar që riprocedimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, do të do të ndodh gjatë muajit prill, mungesa e votave ka bërë që kryeministri të shikojë mundësi tjera për heqjen e vizave, në pamundësi që të plotësohet kushti i vendosur nga BE, ratfikimi i demarkacionit.

Pas takimit që ka zhvilluar të martën me kryeministrin e Mustafa, Komisioneri për çështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të ‘gjitha partive politike në vend’ që ta procedojnë sa më shpejt për votim në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioneri Avramopoulos thuhet t’i ketë dhënë Kosovës mbështetjen e plotë në hapat e fundit drejt procesit të liberalizimit të vizave.

“Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe e ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta procedojnë sa më shpejtë atë për votim në Kuvend”, thuhet në një kumtesë të përbashkët të komisionerit të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Më kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa më 1 shtator të vitit të kaluar marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi ishte tërhequr  nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës./ Lajmi.net/