Për republikanët, Obama rrezik më i madh se Putin e Asad!

Një e treta e republikanëve besojnë se presidentit Barack Obama përbën një rrezik më të pashmangshëm ndaj Shteteve të Bashkuara, duke nënvlerësuar shqetësimet në lidhje me presidentin rus, Vlladimir Putin, dhe presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Bota

30/03/2015 23:50

Një sondazh online i “Reuters” dhe “Ipsos” i këtij muaji mori në pyetje 2,809 amerikanë për të votuar mbi nivelin e rrezikshmërisë që një listë me shtete, organizata dhe individë, mund të përbëjë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sondazhi tregoi se 34 për qind e republikanëve zgjodhën Obamën si rrezik të pashmangshëm, përpara Putinit, me 25 për qind, i cili akuzohet për agresion ndaj Ukrainës, dhe Asadit, me 23 për qind, i cili akuzohet nga vendet perëndimore se ka përdorur gazin klorin dhe fuçi baruti ndaj shtetasve të tij.

Duke parë nivelin e polarizimit në politikën amerikane, rezultatet nuk përbëjnë ndonjë surprizë, thotë Barry Glassner, një sociolog dhe autor i “Kultura e Frikës: Pse amerikanët kanë frikë nga gjërat e gabuara”.

“Ka një tentativë për të demonizuar personin që është aktualisht në pushtet”, tha Glassner, duke shtuar se “alarmi frikësues” nga partitë republikane dhe demokratike do të përbëjë edhe shtyllën e fushatës zgjedhore të Presidencialeve 2016. “Mediet televizive këtu, por edhe politikanët amerikanë përpiqen të shesin e të mbjellin shumë frikë”, tha ai.

Sondazhi i “Ipsos”, i zhvilluar nga 16 deri më 24 mars, përfshinte 1,083 demokratë dhe 1,059 republikanë. 27 për qind e republikanëve thanë se Partia Demokratike ishte kërcënim i pashmangshëm ndaj SHBA-ve, ndërsa 22 për qind e demokratëve zgjodhën republikanët si kërcënim.

Ndërkaq, njerëzit e pyetur në këtë sondazh ishin më shumë të shqetësuar në lidhje me kërcënimet mbi sulmet potenciale terroriste. Militantët e Shtetit Islamik u përzgjodhën si kërcënimi më i madh, me 58 për qind të atyre që u përgjigjën, ndërsa Al Kaeda, me 43 për qind. Pas tyre, lideri koreano-verior, Kim Jong-un, me 34 për qind, dhe Ajatolla Ali Khamenei i Iranit, me 27 për qind. Por, përpara se të vinim te këta dy emra “diktatorësh”, 39 për qind e përgjigjeve konsideronin si rrezik sulmet kibernetike. Në listën e kërcënimeve konsiderohej edhe trafikimi i drogave.

Në sondazh, demokratët duken më të shqetësuar në lidhje me ndryshimet klimatike sesa republikanët, respektivisht me 33 për qind dhe 27 për qind të të pyeturve. /Top Channel/