Për pjesëmarrje

Qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës thonë se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Por, ata nuk duan të identifikohen me emra e mbiemra. Shqiptarët duken më të vendosur se kurrë.

Lajme

30/10/2013 12:26

Nuk dëshirojnë të flasin shumë, madje as të identifikohen me emër e mbiemër. Derisa kanë mbetur edhe pak ditë kur duhet të votohet, qytetarët serbë në veri theksojnë se do të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht mesazheve që vijnë nga qarqe të ndryshme dhe që krijojnë frikë e paqartësi tek votuesit serbë.

“Po, unë do të dal në zgjedhje dhe shpresoj se pas këtyre zgjedhjeve do të definohen disa gjëra. Po ashtu shpresoj se ato gjërat do të lëvizin nga pika e vdekjes”.

Edhe një tjetër qytetarë serb thotë për Radio Kosovën se pret ndryshim të një klime pas tre nëntorit.

“Klima ende është e paqartë por shpresoj se pas zgjedhjeve gjendja do të përmirësohet për të mirë në favor të popullatës serbe, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Më anën tjetër, qytetarët shqiptarë janë të vendosur që sa më shumë të dalin në këto zgjedhje. Feriz Peci nga fshati Zhazhë, i komunës së Zveçanit, e sheh problem të madh përfaqësimin e shqiptarëve në asamblenë komunale.

“Ne jemi në komunë e Zveçanit, por ne jemi shumë pak banorë dhe nuk kemi aspak gjasa për ta dërguar një njeri tonë në komunë. Do të ishte mirë që edhe ne me fitua diçka dhe të paktën një deputet ta kemi në komunën e Zveçanit, që t`na i qanë hallet tona. Sepse, serbët e Zveçanit kurrë nuk i qajnë hallet tona”, tha Peci.

Një ndër problemet kryesor që fshatrat e asaj ane nuk mund të përfaqësohen në nivele lokale, mbetet shpërngulja e banorëve. Për pasojë, asnjë nga të deleguarit nuk mund të marrë vota të mjaftueshme për t`i përfaqësuar qytetarët shqiptar në tri komunat që janë me shumicë serbe. (Rtklive)