Për një vit, drejtori i Ahmetit tendere 1.2 milionë euro miqve (Dokument)

Lëvizja Vetëvendosje gjithnjë ka kritikuar qeverisjen qendrore për klientelizmin politik dhe shpërblimin me tenderë të kompanive të “dostave”. Por, mangët me shpërblimin e miqve me tenderë nuk ia ka lënë fare as qeverisja e Shpend Ahmetit në Prishtinë.

Lajme

27/05/2017 13:49

Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Hysen Durmishi, në komunën e qeverisur nga Shpend Ahmeti, me tenderë e ka shpërblyer madje edhe kompaninë ku ka punuar vetë si menaxher deri në vitet 2009 dhe 2010.

1-

Për një vjet, Durmishi e shpërbleu ish-kompaninë ku kishte punuar me mbi 1.2 milionë euro.

Vetëm në vitin 2015, sipas vëllimit financiar të projekteve të atij viti, vëllime financiare që nuk ishin publikuar edhe në vitet e mëtejme, ish-kompania e menaxhuar nga Durmishi, ka marrë 4 projekte prej drejtorisë që udhëheq vetë Durmishi.

Në bashkëpunim me kompaninë “Teknika Project”, kompanisë “Sopi” i ishte dhënë tenderi për ndërtimin e rrugës Matiçan-Butovc-Kolovicë, në vlerë prej 486, 367 euro (Kontrata nr. 616 15 073 511, dt. 19.06.2015). Pronarët e këtyre dy kompanive janë vëllezër, dhe ata janë Naim e Qazim Sopi.

Sërish në kombinim me kompaninë “Teknika Project”, kompanisë “Sopi” i ishte dhënë tenderi për ndërtimin e rrugës Breznicë-Barilevë, në vlerë prej 290, 303 euro (Kontrata nr. 616 15 078 521, dt. 23.06.2015).

Kompanisë “Sopi”, ku kishte punuar më herët Hysen Durmishi, i ishte dhënë tenderi edhe për ndërtimin e rrugës në lagjen “Kurti” në Barilevë, në vlerë prej 260, 584 euro (Kontrata nr. 616 15 184 521, dt. 01.11.2015).

Në fund të vitit 2015, kompanisë “Sopi”, drejtori i Shpend Ahmetit i kishte dhënë tenderin edhe për ndërtimin e disa rrugëve lidhëse me rrugën për Gazimestan, në vlerë prej 172, 395 euro (Kontrata nr. 616 15 253 521, dt. 21.12.2015).

Drejtori i Shpend Ahmetit, Hysen Durmishi, në biografinë e tij zyrtare e konfirmon edhe vetë që në vitet 2009-2010 ka qenë menaxher i ndërtimit në N.N.P “SOPI” në Prizren. /gazetametro.net