Për një treg mbarëshqiptar

Konfederata e Industrive të Shqipërisë, një ditë pas mbledhjes së Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Prizren, ka kërkuar krijimin e tregut të përbashkët mbarëshqiptar 7 milionësh.

Lajme

12/01/2014 19:06

Nisma e krijimit të një tregu mbarëshqiptar deri më sot disa herë është vështirësuar deri në dështim nga vonesat e shumta dhe të paarsyeshme, vlerëson Konfederata e Industrive të Shqipërisë – Konfindustira.

Në deklaratën për shtyp të Konfindustrisë, thuhet se vonesat e tilla të krijimit të këtij tregu kanë ulur ndjeshëm efektivitetin e investimeve të mëdha të përbashkëta, sidomos në infrastrukturën rrugore siç është Rruga e Kombit, e cila ka arritur shifrën e 2 miliardë eurove, duke i dhënë kështu barrë shtesë ekonomisë të të dyja vendeve.

“Konfindustria merr shkak për vlerësimin e mësipërm nisur nga mjaft ngjarje dhe vendime të fundit të institucioneve të 2 shteteve shqiptare, që jo vetëm nuk po shkojnë drejt krijimit të një tregu të përbashkët, por përkundrazi po çojnë drejt një mbyllje të tregjeve të vendeve respektive”, ka deklaruar Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë.

“Përmendim vendimet e njëpasnjëshme të marra nga Shqipëria dhe Kosova brenda harkut kohor të shkurtër me natyrë proteksioniste në fushën e tregtisë së prodhimeve bujqësore, pijeve alkoolike, birrës, çimentos, etj.”

“Kulmi i përfshirjes së institucioneve shtetërore në një luftë tregtare të pandershme ndërmjet dy vendeve ishte ndalimi i hyrjes së prodhimeve të qumështit me origjinë të Shqipërisë në tregun e Kosovës me pasoja kriminale, që kanë çuar deri në shkatërrim të industrive përkatëse.”

“Në këtë kuptim Konfindustria mbështet tejkalimin e problematikës të vonesave për fillimin e ndërtimit të linjës energjisë elektrike 400 KË Shqipëri-Kosovë.”