lajmi.net

Për një muaj, rreth 30 mijë gjoba për kundërvajtje në trafik

Për vetëm një muaj Policia e Kosovës, ka shqiptuar rreth 30 mijë gjoba për shkelje të rregullave në trafikun rrugor në Kosovë.

Lajme

03/02/2018 22:08

Janë dënuar rreth 28 mijë persona me gjobë deri në 500 euro, e dhjetë nga ta kanë marrë gjobë deri në 1 mijë euro, këta janë persona juridik.

Policia e Kosovës ka një paralajmërim dhe një lutje për të gjithë.

“Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë dhe njëherit të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të ju përmbahen dispozitave ligjore, të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

Policia e Kosovës, edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut do të vazhdojë të aplikojë ndërmarrjen e masave ligjore”, thuhet në apelin e Policisë, raporton Tribuna Channel.

Për këto gjoba të larta qytetarët kanë mendime të ndryshme.

“Nuk ka ndikuar asgjë për arsye se praktika e vendeve të tjera, popujve tjerë ka treguar se ligjet e sanksionet nuk ndikojnë shpejtë në ngritjen e vetëdijes së njerëzve”, thotë një qytetar.

“Dy vitet e fundit kemi pasur aksidente fatale, e këtë vit janë zvogëlu”, thotë një tjetër qytetar.

 Ndryshime ligjore që janë bërë nga një janari, mundësojnë policët të shqiptojnë gjoba kaq të larta në teren pa pasur nevojë që lënda të dërgohet në Gjykata.
LM