Për nëpunësit civilë, s’ka fushatë gjatë orarit të punës

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administratës Publike, Fitim Krasniqi sqaroi se nëpunësit civilë nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në fushatë parazgjedhore të subjekteve politike derisa janë në orarin e punës. 

Lajme

28/05/2014 17:35

Sipas Krasniqit, nëpunësit civilë kanë të drejtë të jenë anëtarë të partive politike dhe të organizatave të tjera politike, por duhet të përmbahen nga angazhimi i tyre aktiv në aktivitete politike, që kuptohet si pozitë udhëheqëse apo pozitë e paguar në çfarëdo niveli të partisë apo organizatës politike, raporton KosovaPress. Angazhinmet në fushatë ata mund t\’i bëjnë vetëm pas përfundimit të orarit të punës. 

Gjithashtu bëhet me dije se nëpunësit civilë nuk mund të kryejnë aktivitete partiake gjatë kryerjes së punës së në shërbimin civil dhe duhet të ruajnë paanësinë politike.

Ndërkaq, kur paraqesin kandidaturën për ndonjë funksion të zgjedhur publik, ai ose ajo, duhet të marrin pushim pa pagesë një (1) muaj para zhvillimit të zgjedhjeve, deri në certifikimin e zgjedhjeve.

Nëpunësi civil, i cili nuk zgjidhet, ka të drejtë të kthehet në punën e tij si shërbye civil një (1) javë nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Nëpunësit civilë mund të mbajnë përkohësisht pozita politike. Gjatë mandatit të tyre në këto pozita, statusi i tyre i nëpunësit civil pezullohet për shkak të mospërputhshmërisë ndërmjet emërimit politik dhe statusit të nëpunësit civil.

Pas mbarimit të kushtit të pezullimit të dakorduar, nëpunësi civil ruan të drejtën e kthimit në pozitën e mëparshme ose në një pozitë ekuivalente.

Karriera e nëpunësit civil nuk do të ndikohet nga qëndrimet e shprehura gjatë fushatës zgjedhore ose rezultatit të zgjedhjeve.

Institucionet të cilat kanë të punësuar nëpunës civilë, të cilët marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2014, janë të obliguara që në sistemin e pagave pranë Ministrisë së Administratës Publike të dërgojnë formularin përkatës për ndalimin e pagës, si dhe dëshminë me të cilën vërtetohet se nëpunësi civil ka shkuar në pushim pa pagesë.

(KosovaPress)