Për ndryshime gjenerale

PDK ka shpërndarë një pyetësor anembanë në Prishtinë. Kandidati Agim Çeku nuk e quan fushatë por përgatitje rreth fushatës prezantimin e një projekti. Lirak Çelaj e sheh PDK’në dhe LDK’në në balotazh.

Lajme

27/09/2013 12:24

Në prag të fushatës zgjedhore, Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar një projekt i cili ka të bëjë me një pyetësor që do t’u dërgohet qytetarëve të Prishtinës.

Këtë projekt e prezantoi kandidati i PDK’së për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku. Ai tha se kjo nuk është fushatë zgjedhore, por përgatitje për të.

Pyetësori ka të bëjë me jetën e qytetarëve të Prishtinës, përfshirë rangimin e 10 prioriteteve për të bërë më të mirë jetën e qytetarëve, si vende pune, kopshte, salla sporti, energji elektrike pa ndërprerje, transport publik më të mirë, administrim më efikas të qytetit, vende parkimi, furnizim me ujë, televizion lokal, etj.

Agim Çeku është shprehur se mund të sjellë ndryshime gjenerale për Prishtinën dhe do ta bëjë atë qytet europian.

“Ky aktivitet duhet të kuptohet si aktivitet i përgatitjes për fushatë dhe për qeverisje dhe jo si aktivitet i fushatës, sepse ne jemi shumë të kujdesshëm që t’i përmbahemi ligjit. Fushatën do ta fillojmë atëherë kur e thotë ligji”.

“Do ta bëjmë Prishtinën qytet me shërbime efikase, cilësore që qytetarëve të Prishtinës t’ua mundësojmë një jetë më të mirë dhe më të sigurtë”.

“Realizimin e vizionit për Prishtinën do ta bëjmë përmes një programi i cili bazohet në tri shtylla. Ne e kemi quajtur, Shërbim, Zhvillim dhe Promovim Këto projekte do t’i realizojmë në bashkëpunim me qytetarët, qyetarët do të jenë vendimmarrës e jo vëzhgues”.

“Ky pyetësor do të dërgohet në mbi 50 mijë adresa. Ai mund të gjendet edhe në mënyrë elektronike”.

Kryetari i Degës së PDK’së në Prishtinë, Lirak Çelaj pret që PDK dhe LDK të shkojnë në balotazh për qytetin e Prishtinës.

“Ne nuk presim që subjektet tjera politike të dalin dhe ta shpallin fitues z. Çekun. Ne kemi thënë edhe më herët që ata po përpiqen të përfitojnë dhe të krijojnë një opinion të rremë gjoja se ata do të jenë fitues. Me 3 nëntor do të dëshmohet e kundërta. Jemi të bindur që në balotazh do të jetë PDK dhe LDK. Qytetarët do ta vendosin me datën 3 nëntor”.