Për keqpërdorimet gjatë privatizimit, nën hetime edhe Ahmet Shala?

Fabrika “FAN”, fabrika “Ballkan”, “Hotel Grand”,  janë vetëm disa prej rasteve që po hetohen për keqpërdorime të mundshme gjatë procesit të privatizimit. Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Ahmet Shala, besohet se është duke u hetuar nga EULEX për tri raste të ndryshme të privatizimit.

Lajme

05/05/2014 09:28

Hetimet për keqpërdorime në procesin e privatizimit tregojnë se shumë zyrtarë të lartë të politikës janë të përfshirë në to. Javën e kaluar për privatizimin e fabrikës “FAN” të Podujevës u arrestuan zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të AKP-së. I dyshuar për këtë rast është edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani.

Zëri raporton se një dosje prej më shumë se 2 mijë faqesh për keqpërdorime në rastin e privatizimit të fabrikës së gomës “Ballkan” të Suharekës, ku protagonisti i saj kryer është ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, tash AKP, Ahmet Shala, ishte dorëzuar në prokurori.

Ahmet Shala është dërguar ambasador në Japoni.

Dyshime për keqpërdorime gjatë privatizimit ka edhe në fabrikën e çimentos “Sharr Cem”, në Han të Elezit. Po ashtu edhe për privatizimin e “Ferronikelit” por dhe të “Hotel Grand”, ku i ndjeri Dino Asanaj, akuzohej se kishte marrë ryshfet.

Për ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Ahmet Shala, sipas burimeve të gazetës Zëri, ai është duke u hetuar nga EULEX-i në tri raste të privatizimit.

“Ai është duke u hetuar nga hetuesit e EULEX-it për së paku tre raste, nga gjashtë raste sa janë duke i hetuar ata”, ka thënë ky burim për të përditshmen \”Zëri\”.