Për jetë më të mirë

Partitë politike shqiptare, kanë përqafuar, mbase edhe pa e ditur këtë, modelin politik që njihet me emrin e Silvio Berlusconit.

Opinion

28/05/2014 16:10

Do të ishte befasi nëse në dhjetë ditët e fushatës formale për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, nuk do të ketë tensione, provokime, deklarata të pamatura, përpjekje për të siguruar më shumë vota me kampanjën negative.

Ende jemi larg një demokracie të pjekur.

Pastaj, hisja, suksesi dhe dështimi në këto zgjedhje do të kenë efekte të mëdha në fatin e partive politike dhe të liderëve që janë në ballë të tyre. Ato entitete që kësaj radhe, ta zëmë, nuk do ta kalojnë pragun zgjedhor prej 5%, do të zhduken prej faqes së dheut.

Me gjasë, njëra prej pasojave të zgjedhjeve të 8 qershorit do të jetë reduktimi i numrit të subjekteve politike në Kosovë, gjë e cila sjell dobi për politikën kosovare. Natyrisht, nuk ka gjasa që skena politike tek ne të përbëhet prej vetëm dy subjekteve, e cila gjë gjithsesi do të mund të klasifikohej si rrezik për demokracinë kosovare. Mund të parashihet që në vazhdimësi do të ketë së paku katër entitete politike shqiptare.

Nëse këtu sërish i kthehemi fushatës formale që na pret prej kësaj të mërkure (28 maj), poashtu do të ishte befasi, nëse ekonomia, temat sociale, jeta e përditshme e qytetarëve të Kosovës, nuk do të vazhdojnë të popullojnë qendrën e ofertës së të gjitha entiteteve politike që do të maten me 8 qershor në zgjedhjet nacionale.

Kosova ka mbërri në një stad të ri në politikën e saj, kur propozimet politike, duhet të kenë parasysh se çfarë duan tani dhe në vitet më pas, qytetarët e rëndomtë të Kosovës.

Natyrisht, këta qytetarë, edhe në zgjedhjet e vitit 2007, ta zëmë, mbi të gjitha dëshironin që Kosova të bëhet shtet. Të tjerat mund të prisnin. Në zgjedhjet e vitit 2010, Kosova ishte ende në fillet e ekzistimit të shtet i pavarur, prandaj pritja dhe durimi ende ishin tiparet kryesore të një qytetari mesatar të Kosovës.

Në zgjedhjet e vitit 2014, durim ka fare pak, pritjet janë të mëdha, mundësitë edhe më të mëdha, nëse merren parasysh shifrat dhe premtimet që kanë marrë dhenë dhe sheshet e Kosovës.

Duket që partitë politike shqiptare, kanë përqafuar, mbase edhe pa e ditur këtë, modelin politik që njihet me emrin e Silvio Berlusconit.

Kryeministri i disahershëm i Italisë, pronar i mediave të fuqishme, biznesmen i suksesshëm, kur vendosi të hyjë në politikë  (e cila gjë ndryshoi një herë e përgjithmonë politikën italiane),  urdhëroi vartësit e tij që të bëjnë hulumtime të vazhdueshme të opinionit, duke u fokusuar në nevojat, dëshirat, kërkesat e qytetarëve të zakonshëm të Italisë.

Berlusconi do të pranojë botërisht më pas, që Programi i tij zgjedhor, u ‘shkrua’, realisht, prej vetë qytetarëve të Italisë. Ai vetëm e paketoi bukur dhe mirë këtë ofertë të tij, që ishte tërësi e pritjeve të italianëve. Fitorja ishte bindëse. Ai mbeti në këtë politike për vite të tëra. Çfarë pasojash la prapa, ky është një rrëfim tjetër.

Kosova nuk është Itali, prandaj, krahasimi në shikim të parë, nuk është i qëlluar.

Por, nga ana tjetër, delli i një qytetari mesatar në demokraci si në Kosovë ashtu edhe në Itali është pak a shumë i njëjtë. Secili do jetë më të mirë, rend dhe ligj, siguri, perspektivë për vete dhe për familjen e tij. Secili mendon që qeveria e shtetit të tij, e ka obligim të punojë për të mirën e tij dhe të vendit.

E mira e një vendi në demokraci, zaten matet kudo njësoj: në Kosovë, në Itali, në Gjermani a në Amerikë. Kjo e mirë e ka si përbërës të vetin numrin sa më të madh të qytetarëve që janë rehat, që janë të kënaqur, që nuk duan t’ia mësyjnë shesheve për ta rrëzuar qeverinë, që nuk duan trazira dhe dhunë, dhe që u besojnë, në masë të madhe autoriteteve të vendit.

Nuk ka zaten siguri dhe stabilitet në një shtet, kur shumica e qytetarëve të tij janë të pakënaqur.

Në Kosovë ka gjasa të mira që pakënaqësitë që ndërtohen mbi përbërjen etnike të vendit, mbi pasojat e luftës së viteve 1998, 1999, dhe mbi zhvillimet e njohura në veriun e Kosovës, të reduktohen në shkallën kur ato janë dukuri margjinale.

Por në Kosovë, fatkeqësisht, ka gjasa shumë të mira që pakënaqësia sociale, në rritje e sipër, do të pushtojë burimet më potenciale të trazirave problematike, të cilat mëdyshin stabilitetin e vendit.

Për këtë shkak, këto zgjedhje dhe institucionet që do të dalin prej tyre, e kanë të pashmangshëm përmbushjen e premtimeve për më shumë punë, për rroga më të mira, për mirëqenie sociale, për një jetë më të mirë.

Ndryshe, do të bëhet keq për Kosovën. 

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)