Për gratë e përdhunuara në Kosovë, lufta ende s’ka mbaruar (Video)

Ai është sekreti më i errët i luftës së Kosovës. Sekret që torturon për 16 vjet me radhë gra e burra të këtij vendi. Për ato është një gur i rëndë turpi, ndërsa për ata përdhosje “krenarie” prej mashkulli.

Lajme

24/03/2015 22:48

Rreth 20 mijë femra kosovare janë përdhunuar nga paramilitarët serbë gjatë viteve të luftës, sipas organizatave ndërkombëtare. Në realitet, shifrat dyshohen të jenë edhe më të larta, pasi përdhunime ka pasur thuajse në çdo qytet e fshat. Përdhunime në grup në sy të fëmijëve, baballarëve apo burrave të tyre. U zgjodhën pikërisht ato për t’u bërë kurban i një lufte, ku meshkujt u goditën në pikën e tyre më të dobët.

Udhëtimi në Kosovë, për të dëgjuar dy rrëfime të këtyre grave, nuk ka qenë aspak i lehtë. T’i intervistosh do të thotë t’u gërvishtësh plagën ende të njomë. Në dukje janë femra krejt të zakonshme. Por zëri i tyre i brendshëm ulëret si ditën e parë, me shpresën se të tjerët do t’i besojnë e do t’i përkrahin. Mbase është thjesht zë, që ulëret në heshtje, transmeton Top Channel.

“Vitet kanë kaluar, por lufta te ne ende gjurmon. Ato vite ikën, por te ne lanë shumë pasoja të mëdha, sidomos për ne femrat që përjetuam gjithë atë tmerr. Për ne lufta nuk ka përfunduar ende”.

Pas tre vitesh terapi, ajo tashmë ka kurajën të rrëfejë eksperiencën, që i shndërroi jetën.

“Përgjatë tri ditëve e tri netëve që ishim të zëna rob, isha me familjen dhe me fëmijët. Prej datës 26 mars deri më 29 mars kanë ndodhur këto. Erdhën, na zgjidhën, na ndanë prej burrave, na morën, na çuan nëpër shtëpi. Na bënë çfarë deshën. Na mbajtën të ngujuara, edhe na dhunuan, edhe na keqtrajtuan fizikisht. Na rrahën, na thanë se do të na i merrnin fëmijët e do të na i çonin në Serbi. Nuk do t’i shihnim më kurrë fëmijët. Për tri ditë e tri net kanë ndodhur këto gjëra te ne, si femra kosovare të pafajshme, në vendin tonë”

“Nuk dinim asgjë se çfarë të mendonim, nuk dinim nëse ishte ditë apo natë. Në një dhomë të errët të ngujuara. E zhveshur tërësisht, e djegur me cigare, me thikë te fyti, me armë te fyti. Çfarë mund të mendoja atëherë? Vetëm vdekjen kërkoja. Një milion për qind, vdekja ishte më e mirë sesa të jetoje në atë tmerr. Ishin shumë, dy iknin e dy vinin. Të maskuar, me maska të zeza. Vinin me birra në dorë, të hidhnin birrën në kokë. Ata janë hakmarrë te ne kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka luftuar policia serbe me ushtrinë, por kanë luftuar me gra, fëmijë e pleq. Po të kishin dalë të luftonin me ushtrinë nuk do kishin bërë kështu”, rrëfen njëra prej grave të përdhunuara.

Tmerri më i madh i historisë së saj janë fëmijët, të cilët kanë qenë te dhoma ngjitur, ndërkohë që ajo dhunohej barbarisht.

“Shkoja ndonjëherë kur iknin ata dhe linin derën hapur. Herë t’i linin aty rrobat, herë i flaknin. I vishja, shkoja te fëmijët. I dëgjoja ata duke qarë, duke bërtitur. Sa më shihnin, më kapnin…  Gjatë kësaj kohe kam dëgjuar nga dhomat e tjera ulërima të grave që kërkonin ndihmë. Një ndihmë që s’kishin nga ta kërkonin, vetëm prej Zotit. ‘O Zot merrma shpirtin’, thoshim. Nuk dëgjohej tjetër gjuhë aty. Vetëm kur vinin na merrnin, na thonin ‘nësë do hajde, në të kundërt t’i vrasim fëmijët’. Ata s’thonin gjë tjetër”, rrëfen ajo për Top Channel.

YouTube player