Për EULEX’in vendos Brukseli

Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt, shprehet se ky mision është vetëm mysafir në Kosovë, dhe se mysafirët nuk rrinë gjatë.

Lajme

24/09/2013 17:38

Brukseli do të vendosë nëse mandati i EULEX’it mund të përfundojë në qershor të vitit 2014, ka thënë të martën Shefi i Misionit të BE’së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Bernd Borchardt.

Sipas tij, aktualisht janë duke u bërë diskutime ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit.

Borchardt, pas takimit të sotëm të Bordit Koordinues për Sundim të Ligjit, ka thënë se misioni që ai e drejton ka ende punë për të bërë në Kosovë, dhe se nuk e di kur do ta ketë fundin e kërkuar nga Qeveria e Kosovës.

“Diskutimet për të ardhmen e EULEX’it janë duke u bërë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit, pra, strukturave që na udhëzojnë neve dhe shteteve anëtare të BE’së”.

“Unë vetëm mund ta përsëris atë që kam thënë shpesh se ne jemi këtu mysafirë, mysafirët nuk rrijnë gjatë, por ne gjithashtu nuk duam t’i lëmë prapa institucionet të cilat nuk janë gati të rrijnë të vetme”.

“Ka institucione që ne tashmë vetëm kemi filluar ta zvogëlojmë praninë tonë apo funksionet tona ekzekutive, siç është Njësia për Hetimin e K rimeve Financiare. Do të ketë edhe zvoglime të mëtejme. Me këtë rast nuk dua të gjykoj se cilat institucione do të jenë të gatshme që të kenë nevojë vetëm për ndonjë këshillë nga EULEX”.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për të qeverisur vetë dhe u shpreh falënderues për punën e misionit të EULEX’it në Kosovë.

“Kosova punon shumë që t’i ngritë kapacitetet e veta dhe t’i zvogëlojë ato të EULEX’it. Nuk do të bëjmë veprime që do të krijojnë një hendek në drejtësi, por po ashtu nuk do të shkojmë në veprime të tejzgjatshme”.

“Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për ta qeverisur veten, për ta ushtruar rendin dhe ligjin ngjashëm me shtetet tjera të rajonit. E gjithë kjo do të jetë në bashkëpunim me EULEX’in dhe me BE’në”.

“Nuk është qëllimi i Qeverisë së Kosovës ta ndjekë EULEX’in nga Kosova, por ta bindë BE’në se i ka plotësuar kriteret që të jetojë dhe të veprojë në duart e veta”.

(Video: lajmi.net)