Për dy ditë, 21 mijë nënshkrime kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë

Interesimi i qytetarëve për të nënshkruar peticionin me anë të të cilit kundërshtojnë shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, duket të jetë tejet i madh. Vetëm për dy ditë këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 21 mijë qytetarë. 

Lajme

25/09/2014 18:53

Qytetarët e nënshkruar kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës të anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ngritje të çmimit të energjisë elektrike prej 5.18 për qind.

Kushtrim Puka, nga Forumi për Iniciativa Qytetare, thotë për KosovaPress se ka interesim tejet të madh nga shumë komuna të vendit për të nënshkruar peticionin. Puka thotë se qytetarët e Kosovës nuk mund ta përballojnë këtë rritje, gjë që po tregohet shumë qartazi me vet faktin se brenda 48 orëve, mbi 21 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Albert Bajrami, qytetar nga Prishtina, thotë për KosovaPress se situatat financiare në të cilën gjenden qytetarët e vendit nuk lejon ngritje të çmimeve. Ai thotë se në rast se do të vazhdohet me ngritje të tilla, atëherë përshkallëzimi i situatës socio-ekonomike do të jetë i pashmangshëm.

Aksioni për peticionin kundër shtrenjtimit të energjisë elektriek është organizuar në nëntë komuna: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Obiliq dhe Klinë. Ndërsa, nga sot ky aksion po zhvillohet dhe në Skenderaj dhe Drenas.