Për çka bisedohet në Bruksel? – Lajmi.net
Për çka bisedohet në Bruksel?
Autori: Lajmi.net Opinion 17:30, 21 February 2018
Në diskursin e dy vjetëve të fundit në Beograd, gjithçka nisë dhe sosë me territoret, me kufijtë e ri, me raportet etnike historike dhe politike serbo-shqiptare.
Nga: Blerim Shala
Në dy vitet e kaluara, autoritetet më të larta të Serbisë, mbi të gjitha vetë Aleksandar Vuçiq, një herë në postin e Kryeministrin e Qeverisë, tash e një vit në atë të Presidentit, ndërsa vazhdimisht në atë mandatin e liderit të padiskutueshëm serb, po synojnë ta ndryshojnë thelbin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky synim në radhë të parë bie ndesh me vetë realitetin e bisedimeve të Brukselit, pastaj, me Agjendën e Serbisë për tu bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, më në fund, me idenë themelore të përballjes së Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, me atë të arritjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Që ky është qëllimi kryesor i bisedave të ndërmjetësuara nga BE, kjo zatën është konfirmuar edhe në Strategjinë për zgjerimin e BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë, e cila u bë publike para disa javësh.

Për Vuçiqin dhe të gjithë zëdhënësit e tij të shumtë në Beograd, nuk ka bisedime në mes të Kosovës dhe Serbisë, madje, as në mes të Prishtinës dhe Beogradit  (kur dëshirohet që disi vendet dhe shtetet të përfaqësohen simbolikisht me kryeqytetet e tyre). Sipas tij, në Bruksel po ndodhë dialogu në mes tij, apo, Serbisë, dhe shqiptarëve të Kosovës. Kohë pas kohe ai madje, zgjeron këtë kontekst, duke folë edhe për bisedimet për Marrëveshjen historike në mes të serbëve dhe shqiptarëve.

Për ta bërë sa më joshës, për shqiptarët, këtë interpretim të tij të përmbajtjes së mirëfilltë të dialogut të Brukselit, ai madje në disa raste ka përmendur që serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të rëndësishme në këto anë të Ballkanit, prej të të cilëve, për më shumë varet stabilizimi afatgjatë i kësaj pjese të Evropës.

Në këtë mënyrë, ai dëshiron ta zgjerojë kontekstin e bisedimeve në Bruksel, të krijojë rrethana kur ky dialog, poqëse do të sillte te Marrëveshja e madhe në mes të serbëve dhe shqiptarëve, do të shihej objektivisht si kërcënim për të gjithë fqinjët e Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe kur këto bisedime, fillim dhe fund do të përqëndroheshin në përkufizimin etnik dhe territorial në mes të këtyre dy kombeve.

Pra, sipas Vuçiqit dhe këtij naracioni mbizotërues në Beograd, tek të gjitha instancat relevante të shtetit të Serbisë, objektivisht, nuk ka dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk është synimi primar normalizimi i bisedimeve të Brukselit marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me pranimin apo njohjen e shtetit të Kosovës, në një mënyrë apo tjetrën, me Marrëeshjen ligjësisht detyruese apo me njohjen bilaterale.

Në diskursin e dy vjetëve të fundit në Beograd, gjithçka nisë dhe sosë me territoret, me kufijtë e ri, me raportet etnike historike dhe politike serbo-shqiptare.

Ky diskurs, siç mund lehtë të mirret me mend, nuk ka asgjë të përbashkët me logjikën e dialogut në Bruksel, me qasjen e BE-së sipas të së cilës Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet në mes tyre nëse duan të integrohen në BE, që Kosova dhe Serbia, duhet të ndjekin, në parim, shembujt e mirë të shteteve të Bashkimit Evropian  (këtu më së shpeshti përmenden Gjermania dhe Franca), se si duhet lënë prapa të kaluarën, duke ndërtuar një të ardhme të përbashkët, kur Kosova dhe Serbia do të jenë së bashku shtete anëtare të BE-së.

Është tepër vështirë të gjindet një i vetmi element i përbashkët në mes të diskursit politik aktual në Beograd dhe qëllimit final të dialogut të Brukselit, ashtu siç është projektuar ai prej BE-së, SHBA-së, Gjermanisë dhe shteteve të tjera kryesore perëndimore.

Në këto anë të Evropës dhe të Ballkanit, sa herë të hapet tema e zgjidhjeve territoriale etnike, e krijimit të kufijve të ri etnik, kjo është thirrje publike për telashe të reja, shumë të rrezikshme madje.

Vetë ky diskurs, si i tillë, objektivisht paraqet një pozicion që qëndron në atë skajin tjetër, refuzues dhe konfrontues të idesë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si i tillë pra, ai gjithsesi i kundërvihet vlerave polike dhe qytetëruese evropiane, të cilat duhet të jenë motivuese për autoritetet më të larta të Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që më në fund t’i gjindet epilogu evropian kontestit tragjik historik në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë dy shtete, dhe ky realitet kurrë nuk do të ndryshojë./Lajmi.net/

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Rock Wheels
  • Play Zombie Big Trouble
  • Play Supercar Showdown
  • Play Stealth Sniper