Për çiftet që nuk bëjnë dot fëmijë, vjen pilula ‘domate’

Një pilulë e re do të mund të rrisë fuqinë e spermës për 70%, dhe pritet të ofrojë shpresë për çiftet që nuk mund të bëjnë fëmijë, besojnë shkencëtarët.

Lifestyle

14/04/2016 16:59

Përbërësi i gjendur në domate – që quhet likopen dhe që është përgjegjës për ngjyrën e kuqe të domateve – është tani në fokus të një studimi në Universitetin e Sheffieldit.

Një ekip nga ky universitet, i udhëhequr nga profesori Allan Pacey, një nga ekspertët më të mirë britanik në çështjet e infertilitetit, është duke rekrutuar 60 meshkuj për të marrë pjesë në një studim tre-mujor, transmeton Gazeta Express.

Studimi vjen pasi Britania po përballet me një epidemi të çifteve pa fëmijë, ku një në gjashtë çifte janë pa fëmijë për shkak të pamundësisë për të bërë.

Gjysma e problemit besohet se është duke u shkaktuar si pasojë e kualitetit të dobët të spermës. Pjesëmarrësit në studim do t’i nënshtrohen një terapie me kapsulat e reja, ku do të marrin dy herë në ditë kapsula të tilla.

Profesori Pacey tha: “Studime të ndryshme nëpër botë kanë treguar se likopeni ka veti antihelmuese dhe që ai është shumë i mirë për përmirësimin e kualitetit të spermës. Ne dëshirojmë që këtë ta studiojmë më tutje”.

“Prodhimi i spermës merr kohë tre muaj. Ky studim do të na tregojë nëse likopeni përmirëson kualitetin e spermës, duke reduktuar dëmtimin e ADN-së”, shtoi ai.

Një studim i publikuar kohët e fundit nga specialistët e fertilitetit të klinikës më prestigjioze në Amerikë – Klinika Cleveland në Ohio – tregoi se likopeni mund të rrisë kualitetin e spermës për 70%.

Profesori Pacey thotë se ka shumë studime të tjera që tregojnë gjithashtu se likopeni mund të ngadalësojë avancimin e kancerit të prostatës.