Për çfarë shkruante nobelisti Patrick Modiano

I papërmendur në bastet e Nobelit, Modiano ka rrëzuar Haruki Murakamin, Philip Rothin, Kadarenë, Amos Ozin e shkrimtarë të tjerë që ishin më favoritë se ai.

ShowBiz

09/10/2014 17:55

“Për artin e të kujtuarit me anë të të cilit ai ka evokuar fatet njerëzore, të tilla që nuk përpihen, dhe ka zbuluar jetën dhe botën e okupimit”. Ky ka qenë motivacioni që Akademia Suedeze ka dhënë për Patrick Modianon, fituesin e sivjetmë të Çmimit Nobel për Letërsi.

Peter Englund nga Akademia Suedeze ka thënë pas ndarjes së cmimit se Modiano është meritor për këtë triumf, për famën që gëzon brenda e jashtë Francës.

“Ai shkruan libra për fëmijë, novela e skenarë filmi. Puna e tij më e njohur është Missing Person, për një detektiv i cili humb kujtesën. Është çmim i nderuar që sivjet shkon në Francë”, ka shtuar Englund.  

Modiano ka lindur në Paris në vitin 1945, në Boulogne Billancourt. Puna e tij lidhet sidomos me identitetin, harresën, kujtimin dhe fajin. “Dora Bruder” është një nga krijimet e tij më të mira, ndërsa në vitin 1972 ai ka fituar çmimin francez të romanit më të mirë francez, i cili jepet nga Akademia Franceze. Modiano është autori i 11-të francez që merr Nobelin, ndërsa është 69 vjeçar. (Kultplus.com)