Për aq sa bashkohen copat e thyera të qelqit, mund të bashkohen trojet e copëtuara shqiptare

Jam i bindur se nuk ka kurrfarë gjasash reale për ndonjë mobilizim në një projekt të suksesshëm të bashkimit kombëtar. Nuk e përjashtoj se mund të bëhen tentativa, aventurizma, eksperimentime nga grupime anarkofashiste dhe ekstremiste, por ato mund të jenë jo vetëm të dështuara, por po aq katastrofike, sa ishte katastrofik ndërrimi i programit fillestar të lëvizjes kombëtare.

Opinion

08/12/2016 18:29

Raportet ndërmjet njësive të ndara të trojeve shqiptare më së miri mund të kuptohen nëse krahasohen me copat e thyera të qelqit,pas një përplasjeje të fortë. Copat e thyera në atë rast janë të madhësive të ndryshme, ku njëra prej tyre, më e madhja, mund të mbahet si “copa amë”, ndonjëra copë e shkëputur ka tehe më të mprehta se sa tjetra, ndërsa midis disa copave mund të jenë krijuar edhe mospërputhje, ngase ndonjë pjesëz mes tyre është grimcuar aq sa nuk e lejon më as puthitjen. Pavarësisht se në çfarë relacionesh do të jenë copat e thyera,qelqi i bërë një herë copë e grimë, nuk është më tërësi unike, sado që të bëhen përpjekje që tëri bashkohet. Bile, në rast përpjekjesh të pakujdesshme, mund të ndodhin grimcime a thyerje të tjera, duke e shtuar fragmentarizimin e madje edhe duke i shkaktuar plagë tentuesit insistues e të pakujdesshëm.

Copëtimi ka ndodhur edhe me gabimet tona

Pas këtij krahasimi shokues të copëtimit të trojeve tona shqiptare me qelqin e thyer copë e grimë, po i kthehem shkurt historisë së thyerjes tragjike të tërësisë së trojeve shqiptare dhe gjendjes reale tëkëtyre njësive të copëtuara, për të hetuar se si ato sot fuksionojnë, se si komunikojnë mes vete, për tëhamendësuar më fund se a mund ta thyejnëato ligjin e qelqit të thyer. E para, copëtimi i trojeve shqiptare, ka ndodhur pa vullnetin e proklamuar të shqiptarëve, por edhe me gabimet tona. Lindja me vonesë e lëvizjes kombëtare shqiptare në raport me kombet e tjera ballkanike, i ka arsyet e veta logjike, por rezultati ka qenë i dhimbshëm. Edhe raporti i saj si lëvizje kombëtare shqiptare me Perandorinë Osmane, në fazat e fundit të luftës për pavarësi, ishte jokonsekuent e madje kundërthënës me doktrinën fillestare të hartuar nga Pashko Vasa e Sami Frashëri dhe të promovuar paraprakisht nga Lidhja e Prizrenit. Në fakt, themeluesit e kombit konsideronin se duhej të përdorej Perandoria Osmane si mburojë në raport ne fqinjët ballkanikë, deri në fuqizimin e plotë të kombit shqiptar. Fjala vjen, Pashko Vasa insistonte në këtë formulë: “…të bashkohet Shqipëria në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj një organizim i thjeshtë, kompakt e i fortë, t’i lihet elementit vendës një pjesëmarrje e gjerë në administratën publike dhe të inau­gurohet, një periudhë bashkimi, mirëkuptimi dhe vëllazërimi për të gjitha besimet e për të gjitha fetë.”

Ndërsa, Sami Frashëri e plotësonte kështu këtë alternativë: “Qëllim’ i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigave t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit’ e gjuhëvet e të mendimeve të greqet e te shqehet, të cilatë po i rëmojnë themeletë e po i nxjerinë rënjët Shqipërisë e ship­tarërisë”.

Por, në luftën finale për shtet kombëtar, në fillim të shekullit XX, lëvizja adoptoi një strategji tjetër, sipas të cilës duhej të arriheshin miqësi e aleanca me kombet ballkanike, serbët, grekët e bullgarët dhe të shpallej armiqësi dhe luftë e armatosur me Perandorinë Osmane. Pra, pati një ndërrim të plotë të programit fillestar të lëvizjes shqiptare. Ndryshimi i programit u konkretizua duke arritur marrëveshje të fshehta me grekët e duke u armatosur nga serbët për kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Rezultati i këtij programi të ndryshuar dhe i kryengritjes ku ai program u provua, (1910-1912) ishte një katastrofë kombëtare. Copëtimi i trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve ballkanikë, serbëve, grekëve, bullgarëve e malazezve shkatërroi çdo mundësi të formimit të shtetit kombëtar shqiptar në trojet ku jetonin si komb shumicë. Konferenca e Londrës dhe ajo e Versajit nuk bënë asgjë tjetër, përveç se e legjitimuan gjendjen që ishte arritur në terren në dy luftërat ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, natyrisht me disa modifikime të papërfillshme. Pra, thënë thjesht, copëtimi i trojeve shqiptare erdhi si rezultat i triumfit të projekteve imperiale të fqinjëve ballkanikë, Serbisë, Greqisë, Bullgarisë e Malit të Zi (dhe ndihmave që u ofruan sidomos Rusia e Franca.) Triumfi i tyre u lehtësua edhe nga dobësia dhe çoroditja e Perandorisë Osmane në atë fazë. Por,nuk duhet fshehur faktin që në prapavijë të asaj gjendjeje ishte edhe programi i gabueshëm i lëvizjes shqiptare. Sikundër ka konstatuar Elena Kocaqi- Levanti, “qëllimi i fuqive ballkanike ishte destabilizimi i Turqisë me anën e shqiptarëve dhe më pas marrja e tokave të tyre. Këto forca nuk patën qëllime politike të qarta dhe si çdo gjë që financohej nga fqinjët, ajo nuk ishte e dobishme për integritetin e Shqipërisë, sep­se ndihmoi në copëtimin e saj.” Më qartë nuk ka si thuhet. Pra, mund të besohet se deri  sado tëishte në këmbë Perandoria Osmane, sado e dobësuar dhe e çoroditur politikisht nga krizat e saj të brendshme, trojet shqiptare do të ishin kompakte nën një sundues, të pa ekspozuara gjenocidit dhe ndryshimit te dhunshëm demografik të popullsisë. Këtë tezë tashmë e kanë pranuar gjerësisht historianë shqiptarë e të huaj, përveç atyre me formim marksist, me prirje sllavofile e grekofile dhe islamofobike. Pra, lamentet me prirje sllavofile, grekofile e islamofobike se gjendja e shqiptarëve ishte e keqe nën sundimin osman, nuk ndihmon të fshehet fakti se ajo gjendje, sado e keqe që ishte nën sundimin osman, nën pushtimet e “aleatëve “ ballkanikë u shndërrua në katastrofë.

Të pranuarit e këtij fakti, mund të na ndihmojë të kuptojmë jo vetëm se ku është gabuar nga hartuesit e politikave të shqiptarëve në fillim të shekullti XX, por edhe se ku mund të gabohet sot e në të ardhmen.

Jostabiliteti permanent u hap rrugë ndikimeve të huaja

Kjo që u tha deri këtu si inicim i shikimit kritik të historisë së ndarjes së trojeve shqiptare në vitin 1912, na e hap mundësinë që tëkuptojmë edhe gjendjen aktuale të njësive të veçanta, dy shteteve Shqipërisë, Kosovës, po edhe Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë, ku jetojnë shqiptarët në trojet e veta. Pa u thelluar në ndonjë analizë, është lehtësisht e kuptueshme që njësitë shtetërore a territoriale, që sot mund të identifikohen si troje shqiptare, janë të ndara efektivisht dhe tentojnë të realizojnë projekte të ndara. Fjala vjen, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u detyrua ta ndryshonte programin e saj fillestar, nga programii bashkimit kombëtar, në program për pavarësinë e Kosovës. Kjo qasje u pasua edhe nga UPÇMB-ja dhe nga UÇK-ja në Maqedoni. Pra, jo vetëm projektet standarde politike, po edhe përpjekjet e armatosura, e kanëpasur vulën e copëtimit të hershëm. Nga ana tjetër, jonormalitetin e raporteve politike ndërmjet vetë këtyre njësive, veçmas ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, asgjë nuk e ilustron më fort se sa vizita e Edi Ramës në Beograd e Nish gjatë tetorit 2016. Vizita e tij ishte pa asnjë konsultim zyrtar me Prishtinën, pa asnjë konsultim me Shkupin (ku shqiptarët formalisht participojnë në qeverisje.) Për më tepër vizita u përshkua nga një ndërhyrje vulgare paternaliste (kryeministri i Shqipërisë po jepte verdiktin për Trepçën, në kohën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës po e shqyrtonte atë problem.) Vizita kishte edhe elemente të thekshme të serbofilisë (citimi i Ivo Andriqit, vlerësimi për Emir Kusturicën e Goran Bregoviqin)gjë që ishte fyerje për shqiptarët e Kosovës, po edhe për bashkëkombasit që jetojnë në Serbi e në Maqedoni. Nga ana tjetër, po ky kryeministër i Shqipërisë nuk u mor fare me pozitën e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni, nuk u ofroi një mesazh të vetëm për ta, në periudhën kur ata ballafaqohen me dilema të mëdha. Në të vërtetë, loja e qeverive të Shqipërisë që në sytë e komunitetit ndërkombëtar të shfaqen si faktor stabiliteti (duke injoruar shqiptarët në Maqedoni)është e vjetër dhe shumë hileqare. Kjo lojë hileqare realisht ka dobësuar faktorin shqiptar në Maqedoni, duke rritur edhe moskuptimin mes pjesëve të ndara të trojeve shqiptare. Injorimin e fragmentit shqiptar në Maqedoni, më sëmiri e shpërfaqë Manastiri i deshqiparizuar tërësisht dhe rehatia senile e Shqipërisë që nuk e ka luajtur veshin që ta mbrojë të paktën kujtimin e këtij qyteti të rëndësishëm të kombformimit shqiptar. Ndërsa, Kosova nga ana e saj, ende është duke e testuar shtetndërtimin dhe nuk eka kaluar testin e një shteti funksional. Rrjedhimisht, Kosova ende nuk ka mundësi të shfaqet si faktor ndihme reale për shqiptarët në Maqedoni, në Serbi e në Malin e Zi. Përkundrazi, në ndonjë rast, si në rastin e lapidarit në Preshevë dhe të incidentit në Kumanovë, më shumë u ka bërë dëm se sa dobi bashkëkombësve të vet, sepse duke mos pasur kapacitete të mbajë nën kontroll grupet parapolitike dhe ato kriminale,faktikisht  ka lejuar të eksportohen atje aventurizma dhe dështime.(Natyrisht pjsëmarrës naivë në këto aventura të dëmshme kanë qenë edhe bashkëkombas shqiptarë të Preshevës e të Maqedonisë, nga grupe që duan të punojnë kokë me vete, ose që janë thjesht grupe parapolitike ose edhe  kriminale.)

Rishikimi i raporteve?

Për shkak të këtij realiteti të hidhur, ku Shqipëria e Kosova nuk e luajnë rolin që realisht u takon si shtete, shqiptarët në Maqedoni duhet të fokusohen si subjekt i aftë qëtë mbrojnë veten dhe interesat e veta brenda shtetit sllavomaqedonas. E pakta që duhet të bëjnë është të mos lejojnë manipulimin e mëtejshëm të interesave të tyre nga Shqipëria, e cila i dëmton duke luajtur rolin e “faktorit stabilizues” për hesapin e vet. Por duhet të forcojnë organizimin e vet edhe në drejtim të Kosovës, që të mos u vijnë prej andej  kaisone destabilizuese, në emër të gjoja atdhtarizmit.

Duke e pasur para sysh këtë gjendje të raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës dhe qëndrimit të të dyjave ndaj pjesëve të tjera të kombit tonë, jam i bindur se nuk ka kurrfarë gjasash reale për ndonjë mobilizim në një projekt të suksesshëm të bashkimit kombëtar. Nuk e përjashtoj se mund të bëhen tentativa, aventurizma, eksperimentime nga grupime anarkofashiste dhe ekstremiste, por ato mund të jenë jo vetëm të dështuara, por po aq katastrofike, sa ishte katastrofik ndërrimi i programit fillestar të lëvizjes kombëtare. Nëse sot a në të ardhmen e afërt, hyhet në aso aventurash, duke dëmtuar ashtu edhe raportin me sponsorin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk e miratojnë në asnjë rast projektin e prishjes së integritet të Maqedonisë e Serbisë(e aq më pak të Greqisë e të Malit të Zi që janë edhe shtete anëtare të NATO-s) pasojat mund të jenë fatale. Nuk mund të vendoset analogji ndërmjet Portës së Lartë të fillim shekullit XX dhe SHBA-ve të sotme, por një asociacion mund të bëhet, sepse sot jashtë përkrahjes amerikane dhe ombrellës së NATO-s, do të ishim  të ekspozuar ndaj rrezikut si në fillim të shekullit XX, kur armiqësia me Portën e Lartë, na la të zbuluar keqas para fqinjve ballkanikë dhe aleatëve të tyre. Pra,as historia e copëtimit të trojeve shqiptare, as gjendja aktualedhe as raportet e sotme ndërmjet vetë shqiptarëve të ndarë, nuk japin asnjë gjasë për ndonjë projekt të suksesshëm të bashkimit të trojeve shqiptare. (Kjo që sapo thashë nuk është dëshirë personale, por konstatim logjik për realitetin.) Ajo që mund të bëhet sot është se mund të lëvizet drejt fuqizimit të dy shteteve ekzistuese, Shqipërisë e Kosovës dhe nëse bëhen shtete të suksesshme, edhe drejt ndonjë forme të asocimit të tyre, paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, pa prekur me asgjë Maqedoninë, Greqinë a Malin e Zi. Formate bashkëpunimit të Shqipërisë e Kosovës me shqiptarët në shtetet e tjera, Maqedoni, Greqi, Serbi e Mali i Zi, i shoh vetëm nën ombellën e NATO-s dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (nëse BE nuk shpërbëhet në ndërkohë.) Bile, pas rritjes së rrezikut të ekstremizmit me ambalazh fetar islamik, pas fuqizimit të frikshëm të Rusisë në Ballkan, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe pas fitores së Donald Trampit në SHBA, ne shqiptarët duhet të kemi më shumë kujdes, që të mos hyjmë më skemat e armiqve tanë. Armiqtë tanë, Rusia e Serbia posaçërisht,tashmë po ëndërrojnë të na fusin në skemat e tyre e të na përdorin si mish për top, siç i përdoren liderët shqiptarë të kryengritjeve shqiptare në vitet 1910/1912. Personalisht kam frikë se mund të na përsëritet ajo histori e hidhur, të vërtetën e së cilës nuk kemi denjuar kurrë që ta mësojmë deri në fund. E pakta,ta mësonim si një krahasim të thjeshtë me qelqin e thyer dhe pamundësinë që të ribëhet ndonjëherë i plotë, ashtu si ishte para se të bëhej copë e grimë.

19 nëntor 2016

P.S. Ndryshime jashtë kësaj analize mund të ndodhin. Fjala vjen, në rast se presidenti i ri amerikan përqafon projektin e dikurshëm të Dejvid Ouenit për krijimin e tre shteteve etnike në Ballkan (Kroacisë, Serbisë e Shqipërisë.) Por në atë rast,plani do të adoptohej në bashkëpunim me Rusinë, që do të thotë do të ishim më afër versionit tragjik sirian, sesa krijimit të shteteve mirëfilli kombëtare, me një proces paqësor të negociuar.