Për anulim të zgjedhjeve

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, propozimin për anulim të zgjedhjeve në Veri pritet ta prezantojë nesër në takimin që do ta mbajë në Bruksel me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashtonin.

Lajme

05/11/2013 14:25

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, preferon që votimet e së dielës në komunat veriore të Kosovës të anulohen.

Një propozim të tillë, ai pritet ta prezantojë nesër në takimin që do ta mbajë në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

“Në takim me Ashtonin dhe Thaçin, një nga temat e bisedimeve do të jetë edhe anulimi i zgjedhjeve në Veri të Kosovës si dhe në të gjitha vendet tjera ku serbët e kanë pasur të pamundur të votojnë dhe aty ku ata kanë qenë të frikësuar”, ka thënë Dacic për mediat serbe.

Sipas tij, në këtë takim do të bisedohet edhe për fillimin e aktiviteteve për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.