Për 6 muaj, zyrtarëve u konfiskohen 27 milionë euro

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, zyrtarëve qeevritarë. edhe të qeverive të mëhershme, biznesmenëve dhe zyrtarëve komunalë u është konfiskuar pasuri në vlerë prej 27 milionë eurosh.

Lajme

21/07/2014 23:25

Kështu ka thënë Koordinatori Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, i cili ka thënë se konfiskimet kanë të bëjnë kryesisht me prona të paluajtshme dhe të luajtshme.

Fazliu tregoi se në këto raste konfiskimesh kemi të bëjmë me pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

“Bëhet fjalë për 365 mijë euro para të ngrira, 7 shtëpi, palujtshmëri, 38 hektarë tokë, 17 banesa, 2 objekte ndërtimore, një motel, 9 vetura, 6 lokale afariste, lojëra të fatit, makineri të ndryshme, fabrikë, klinikë, restoran, po ashtu është në proces një vilë në Republikën e Malit të Zi, një vilë në Ulqin. Pra kemi të bëjmë me sekuestrim, që do të thotë përkohësisht, deri në vendimin e gjykatës”, ka thënë Fazliu.

Sipas tij, bëhet fjalë për hetime, ku në 6 raste janë ngritur aktakuza.

“E di që po bëni presion t’i dini emrat, mirëpo bëhet fjalë për politikanë, për zyrtarë të qeverisë dhe qeverive të mëhershme, bëhet fjalë për biznesmenë të fuqishëm dhe zyrtarë komunalë. Pra bëhet fjalë për figura të larta politike. Këto janë hetime prej vitit 2009 e deri në vitin 2013”, ka theksuar ai.

Sipas Fazliut, ekspertët ndërkombëtarë nga analizat e tyre kanë treguar se shpëlarja e parasë po bëhet përmes ndërtimeve.