Për 6 muaj, realizohen 63 veprime anti-korrupsion

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), ka bërë të ditur se ky institucion brenda 6 muajve ka arritur që t’i realizojë 63 raste të korrupsionit.

Lajme

04/09/2014 14:38

Rreth 63 veprime të parapara në planin e veprimit anti-korrupsion janë realizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës për periudhën janar – qershor 2014.

Kështu bënë të ditur Agjencia Kundër Korrupsionit, që sipas tyre, për këtë periudhë kohore Plani i veprimit 2013-2017 ka dhënë një total prej 135 veprimeve apo masave që duhet ndërmarr nga institucionet e Republikës.

“Bazuar nga të dhënat e marra nga pikat e Kontaktit të Agjencisë nëpër institucionet e Republikës, ku i kanë raportuar 87 veprime, AKK ka nxjerr një përfundim se 63 veprime janë realizuar apo janë në realizim e sipër, shprehur në përqindje, 43 %, 7 veprime janë pjesërisht të realizuara ose në përqindje 11 % dhe 17 veprime janë të pa realizuara ose në përqindje 16 %”.

“Nga ana tjetër pikat e kontaktit gjatë kësaj periudhe raportuese nuk kanë raportuar fare për 48 veprime që kanë qenë të parapara për tu ndërmarr në planin e veprimit për këtë periudhë kohore”.

“Strategjia kundër korrupsionit dhe Plani i Veprimit 2013-2017 janë dy dokumente të politikave anti korrupsion, të cilat janë miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në shkurt të 2013, Plani i veprimit është projektuar për të zbatuar objektiva e përgjithshme strategjike përmes masave specifike dhe konkrete kundër korrupsionit. Ai përbëhet nga objektivat specifike të plan-veprimit, masave apo veprimeve së bashku me treguesit e suksesit dhe janë përcaktuar afatet kohore”.

“AKK është përgjegjëse për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të Strategjisë nëpërmjet masave të parashikuara në Planin e veprimit kundër korrupsionit, ndërsa publikon për çdo gjashtë muaj situatën reale rreth masave të ndërmarra apo edhe mos veprimet nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.