Për 3 vjet, u ndëshkuan 7866 fermerë mashtrues

Për të përfituar grante investive dhe subvencione prej Ministrisë së Bujqësisë, fermerët shpeshherë në formularët e aplikimit fusin të dhëna të rrejshme, për të cilat edhe ndëshkohen dhe hyjnë në listën e zezë të kësaj ministrie. Vetëm gjatë periudhës 2010-2013, numri i fermerëve që kanë tentuar të mashtrojnë dhe të përfitojnë subvencione apo grante pa…

Lajme

06/03/2014 13:53

Për të përfituar grante investive dhe subvencione prej Ministrisë së Bujqësisë, fermerët shpeshherë në formularët e aplikimit fusin të dhëna të rrejshme, për të cilat edhe ndëshkohen dhe hyjnë në listën e zezë të kësaj ministrie.

Vetëm gjatë periudhës 2010-2013, numri i fermerëve që kanë tentuar të mashtrojnë dhe të përfitojnë subvencione apo grante pa i merituar arrin në 7866 fermerë.

Ndërkaq, numri i atyre që kanë pasur shpërputhje në mbi 50 për qind në të dhënat e deklaruara nga fermerët dhe të verifikuara nga komisionet, të cilëve iu është mohuar e drejta për të përfituar prej fondeve publike për bujqësi në një periudhë trevjeçare, arrin në 1317 fermerë.

Tendenca për mashtrim te grantet investive, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë është më e vogël dhe gjatë kësaj periudhe trevjeçare kanë pasur vetëm 14 raste, sepse sipas tyre procedurat janë më komplekse te grantet investive, por që si dukuri me të cilën ballafaqohen këtu është fryrja e faturave dhe një lëndë e një përfituesi të grantit investiv mund të ketë deri në 60 fatura.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, thotë se nëse analizohet në vlerë monetare numri i hektarëve dhe krerëve të bagëtisë apo edhe projekteve të tjera i këtyre 7866 fermerëve që janë refuzuar gjatë këtyre tre viteve për shkak të deklarimeve të rrejdhme dhe problemeve të tjera, atëherë ajo arrin në mbi 5 milionë euro.

“Ne kemi krijuar sistem të mirë të kontrollit dhe pikërisht pse kemi sistem kontrolli kemi arritur që t’i identifikojmë fermerët që tentojnë të mashtrojnë dhe t’i evitojmë mashtrimet e tyre.”

“Duke pasur parasysh specifikat e sektorit, sepse përpjekje për të mashtruar institucionet ka në tërë botën, ngaqë shfrytëzohen hapësirat e zbrazëta, qoftë ligjore, qoftë programore, për ne sidomos në fazën në të cilën gjendemi kur përkrahja financiare për bujqësinë sapo ka filluar, nuk është aspak e lehtë kur kemi parasysh edhe numrin e vogël të inspektorëve që t’i evidentojmë dhe evitojmë të gjitha mashtrimet.”

“Mirëpo, është dhe duhet të jetë pikë e përbashkët e përkushtimit tonë dhe përkushtimit të fermerëve në përgjithësi, adresimi i këtyre rasteve.”

“Jo pse ata që tentojnë të mashtrojnë nuk mund të kapen, sepse tek grantet investive përfituesit kontrollohen edhe tre vite pas dhënies së grantit dhe mund të ketë vonim dhe jo shpëtim, por sa më të shpejta që janë reagimet tona, aq më shpejt edukohen edhe fermerët dhe nuk provojnë të mashtrojnë.”

Ndryshe, në bazë të të dhënave të Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë, në dy vitet e fundit ka pasur rënie të numrit të atyre që kanë tentuar të mashtrojnë për të përfituar subvencione dhe grante investive.

Vetëm gjatë vitit 2010, nga 6787 fermerë që kanë aplikuar për subvencione, janë refuzuar 1000 fermerë.

Ndërsa gjatë vitit 2011, nga gjithsej 16760 aplikues për subvencione janë refuzuar 2919 fermerë.

Kurse, gjatë vitit 2012 nga gjithsej 20220 aplikues tek subvencionet, për shkak të deklarimeve të rrejshme janë refuzuar 1682 fermerë.

Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, nga 26402 aplikues për subvencione janë refuzuar 2249 fermerë. E tëra kjo për shkak të deklarimeve të rrejshme për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore apo për numrin e krerëve të bagëtisë. Ndërsa, gjatë periudhës 2010-2011, për shkak edhe të numrit të vogël të projekteve, nuk ka pasur asnjë rast kur fermeri ka tentuar të mashtrojë për përfituar grante investive.

Por, gjatë vitit 2012, nga 491 përfitues të granteve, nga kontrollet në terren janë gjetur 4 fermerë, të cilët kanë tentuar të mashtrojnë dhe për këtë arsye ata janë sanksionuar dhe janë futur në listën e zezë të ministrisë.

Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, nga 578 përfitues të granteve investive, deri më tani gjatë procesit të autorizimit për pagesë, pas organizimit të supërkontrollit të fundit janë gjetur edhe 12 fermerë të cilët kanë tentuar të mashtrojnë, kryesisht në sektorin e  mekanizimit bujqësor.