Për 18.5 kg marihuanë katër të arrestuar, një në kërkim

Katër persona janë arrestuar dhe janë konfiskuar mbi 18 kilogramë marihuanë (saktësisht: 18 kg e 514.8 gr.), 1,305 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy automjete, nëntë telefona mobilë, dy peshore digjitale, një pajisje për presim të narkotikëve, pesë ngjitës për mbështjellje të narkotikëve, dy folie të bardha për mbështjellje të narkotikëve.

Lajme

26/02/2015 18:08

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, sendet e konfiskuara janë gjetur në pronën dhe përreth saj të një të dyshuari tjetër, i cili ndodhet në arrati, me inicialet ( I. H.), viti i lindjes (1971).

Persona janë arrestuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale si  blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, etj.

Rasti ka ndodhur në fshatin Gllarevë të Klinës, kurse janë arrestuar B. M. (1959), Y. H. (1961), G. M. (1991) dhe N. M. (1987), të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga prokurori kompetent.