Për 10 muaj, 100 milionë euro të hyra nga akciza në cigare

Vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij buxheti Kosova në emër të akcizës në cigare ka arritur t’i inkasojë hiç më pak se 98 milionë euro.

Lajme

24/10/2017 09:30

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës, shihet se gjatë vitit 2016 nga akciza në cigare shteti ka krijuar të hyra prej 124 milionë eurosh, derisa në vitin 2015 në emër të akcizës në cigare janë inkasuar hiç më pak se 102 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tregon për gazetën “Zëri” se nga fillimi i këtij viti e deri më tash në Kosovë kanë hyrë mbi 2200 tonë duhan.

Ai bën të ditur se në vitin 2016 në Kosovë kanë hyrë mbi 3000 tonë duhan, derisa në vitin 2015 kanë hyrë mbi 2800 tonë duhan.

Sipas tij, në vitin 2015 vlera e duhanit të importuar ka kapur vlerën prej 54 milionë eurosh, gjatë vitit 2016 vlera e duhanit të importuar ka pasur vlerë prej 58 milionë eurosh, derisa sivjet vlera e duhanit të importuar ka kapur vlerën prej 49 milionë eurosh.