Pepe, shëndosh e mirë për finale

Stafi mjekësor i Real Madridit ka njoftuar qendërmbrojtësin Pepe se do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre që ai të jetë në dispozicion për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit.

Sport

10/05/2014 17:59

Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Pepe është siguruar nga stafi mjekësor i gjigantit spanjoll se do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për ta rikuperuar me kohë, për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.

Pepe u dëmtua në barazimin 1:1 me Valladolidin të mërkurën, dhe fillimisht u raportua se do të mungojë për dy javë, periudha e cila do ta linte jashtë finales në Ligën e Kampionëve kundër rivalit të qytetit Atletico Madrid, më 24 maj në Lisbonë.

Mirëpo, sipas të përditshmes sportive spanjolle Marca, Pepe, në vizitën e sotme tek stafi mjekësor i Los Blancos, ka marrë lajm të mirë, duke e gëzuar me zotimin se do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre që ai të jetë gati për finalen e madhe.

Pepe ka shkëlqyer me paraqitjet e tij së fundmi dhe prezenca e tij do të jetë një mbështetje e madhe në synimin e Realit të fitojë La Deciman, trofeun e dhjetë të kampionit të Evropës.