Pentagoni kërkon ‘gabimisht’ dorëheqjen e presidentit Donald Trump

Pentagoni ka kërkuar gabimisht dorëheqjen e presidentit amerikan Donald Trump. Duke shpërndarë një twitter në profilin zyrtar të tij, departamenti amerikan i mbrojtjes mbështeti kërkesën për dorëheqje të presidentit.

Bota

18/11/2017 23:45

Mjafton shumë pak për të publikuar apo për të shpërndarë gabimisht diçka në rrjetet sociale, e tashmë këtë gjë e di mirë dhe Pentagoni. Departamenti amerikan i Mbrojtjes në fakt ka shpërndarë gabimisht një twitter të një qytetari amerikan ku kërkohej në mënyrë të qartë dorëheqja e presidentit Donald Trump.

Momentet e tensionit kanë qenë të forta pas këtij incidenti dhe mesazhi u zhduk shumë shpejt nga profili në Twitter i Pentagonit. Zëdhënësja e departamentit amerikan të mbrojtjes deklaroi se përmbajtja e atij mesazhi nuk mbështetej aspak nga departamenti, pasi lajmi nisi të bënte xhiron e botës. Pentagoni pranoi se mesazhi ishte shpërndarë gabimisht nga një prej operatorëve përgjegjës të profilit në Twitter.

Profili i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes ka më shumë se pesë milion ndjekës. Por kreu i Shtëpisë së bardhë nuk ka bërë asnjë koment për gabimin e Pentagonit.