Pentagoni jep detaje për sulmin në Siri

Pentagoni thotë se të gjitha objektivat janë goditur me sukses nga sulmet ajrore nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bota

14/04/2018 16:38

Dana White, ndihmës sekretarja e mbrojtjes për marrëdhënie me publikun ka thënë se sulmet u kryen për të “ulur aftësitë e Sirisë për përdorimin e armëve kimike në të ardhmen”.

“Sulmet nuk paraqesin ndryshime në politikën e SHBA-së apo përpjekje për të përmbysur regjimin sirian. Por, ne nuk mund të lejojmë shkelje të tilla të rënda të së drejtës ndërkombëtare”, tha White, raporton Anadolu Agency .

Ajo i kërkoi Rusisë të “respektojë angazhimin e saj” për të siguruar që regjimi i Bashar al-Asadit të braktisë armët kimike.

Në përgjigje të sulmit të armëve kimike në Duma më 7 prilli, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca bombarduan disa objektiva të regjimit të Asadit në Damask dhe Homs të Sirisë.