Pensionohet Shaptahoviq, largohet nga Kosova

Plejmejkeri i KB Pejës, Samir Shaptahovic ka vendosur të pensionohet nga basketbolli.

Sport

20/01/2015 12:11

Plejmejkeri i KB Pejës, Samir Shaptahovic ka bërë të ditur se ka vendosur të pensionohet nga basketbolli.

Ylli i madh i basketbollit kosovar me gjasë paraqitjen e fundit për Pejën do ta bëjë sonte në duelin kundër Rislkit në Ligën Ballkanike.

“Kur para rreth 15 viteve jam nisur të vi në Kosovë, nuk kam qenë i vetëdijshëm ku jam duke shkuar. Tani që kam vendosur të ndahem nga basketbolli dhe ta lë Kosovën, jam plotësisht i vetëdijshëm çka jam duke lënë. Kjo më dhemb shumë! Më të mirat dhe më pak të mirat që ka ky vend, është  pikërisht ky mjedis, është ky popull që më ka pranuar, më ka dashur, më ka edukuar, dhe mbi të gjitha më ka bërë të kuptoj identitetin tim”, thuhet në deklaratën e tij.

“Këtu unë kam ngritur karrierën time dhe kam bërë emër si sportist. Gjatë këtyre viteve kam pasur momente të mrekullueshme. Dua t’i falënderoj të gjithë, udhëheqësitë e klubeve kudo ku kam luajtur. Por, mbi te gjitha dua t’i falënderoj tifozët kudo qe janë, anembanë Kosovës, duke filluar nga Plisat, Arpagjikët, e mbi te gjitha Shqiponjat e Pejës. Zemra dhe mendja ime do jenë gjithmonë me ju. Faleminderit. Samir Shaptahu”, përfundoi ai.