Pensionohet Giggs

Ryan Giggs i ka vendosur këpucët në gozhdë. Veterani uellsian i dha fund karrierës së bujshme, ndërsa tash do të jetë ndihmës i trajnerit Louis van Gaal në Manchester United.

Sport

19/05/2014 19:32

Fundi i një legjende. Ryan Giggs i ka dhënë fund karrierës së futbollistit, pas dy dekadash.

Ylli uellsian vendosi të pensionohet përfundimisht dhe ta nis zejen e trajnerit.

“E shfrytëzoj rastin t’ju njoftoj për pensionimin tim si futbollist dhe do ta nis një kapitull të ri në jetën time”, deklaroi fillimisht tashmë ish futbollisti i Manchester Unitedit.

“Jam krenar, i nderuar dhe i lumtur që e kam përfaqësuar 963 herë klubin më të madh në botë dhe 64 herë Kombëtaren time”, vazhdoi Giggs.

Ai e shkroi një letër të hapur për tifozët e Unitedit, të cilët i njoftoi me vendimin e fundit.

Tash, Giggs do të jetë ndihmës trajner i holandezit Louis van Gaal në Manchester United, pasi e drejtoi për një muaj ekipin nga Old Traffordi, pas shkarkimit të David Moyes.