Pensionistët kërkojnë kthimin e pensioneve nga Serbia

Rreth 140 mijë pensionistë i gëzohen vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pensioneve, por mbesin me shpresa që të ketë edhe më tutje rritje.

Lajme

15/03/2014 08:26

Zv/kryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur të premten kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi dhe Musa Jorganxhiu, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Komunës se Prizrenit, bashkë me anëtarët, Alajdin Haskuka dhe Shadane Çereti.

Në këtë takim pensionistët e Kosovës shtruan si çështje përfshirjen e çështjes së kthimit të pensioneve nga Serbia në dialogun e Brukselit, si dhe miratimin e ligjit që rregullon statusin e pensionistëve nga ana e Kuvendit të Kosovës, njofton kumtesa nga Kryeministria.

Sipas tyre, janë rreth 140 mijë pensionistë që i gëzohen vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pensioneve, por mbesin me shpresa që të ketë edhe më tutje rritje.

Zv/kryeministrja Tahiri ka çmuar kontributin e tyre si një gjeneratë që ka kontribuar në ruajtjen e kombit dhe ngritjen e shtetit, andaj Qeveria e Kosovës ka ngritur pensionet për 25 për qind dhe do të vazhdoj kujdesin dhe mbështetjen edhe në të ardhmen, shkruan Tribuna.

Po ashtu, zv/kryeministrja Tahiri shtoi se çështja e kthimit të pensioneve nga Serbia ka qenë në listën e temave që Qeveria e Kosovës ia ka paraqitur BE-së në Bruksel që në fillim të dialogut në vitin 2011 së bashku me çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës.

Ajo siguroi delegacionin e pensionistëve se në fazën e ardhshme të dialogut kjo temë do të trajtohet dhe zgjidhet dhe se në këtë proces do të përfshihen edhe përfaqësuesit e pensionistëve.

Gjithashtu sa i përket ligjit, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se do të angazhohemi si Qeveri që të kontribuojmë në miratimin e tij, sepse ky ligj do të rregullojë me dinjitet statusin e pensionistëve.