Pensionistët kërkojnë heqjen e nenit qe s’ua njeh stazhin punëtorëve të larguar nga regjimi i Serbisë

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie pensionistët kërkuan që të hiqet neni 8 prej Ligjit për Skemat Pensionale, i cili, sipas tyre, është diskriminues sepse nuk ua njeh stazhin e punës punëtorëve që janë larguar nga puna përmes masave të dhunshme të Serbisë.

Lajme

13/06/2018 12:19

Ata thanë se nuk favorizohen njëjtë të gjitha kategoritë.

Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, ka thënë se sistemi aktual pensional diskriminon pensionistët. Ajo shtoi se e drejta e tyre është shkelur dhe nëpërkëmbur.

Sipas saj, çështja e pensioneve duhet të përfshihet në dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Statusi i pensionistit nuk është ai që është dashur të jetë. E kemi një sistem që ka diskriminuar pensionistët që kanë dhënë kontribut para dhe pas ish-Jugosllavisë. E drejta juaj është shkelur, nëpërkëmbur. Njëra nga temat në dialogun me Serbinë duhet të jetë çështja e pensioneve që kanë mbetur atje”.

Sylejman Meta, kryetar i federatës sindikale të pensionistëve, invalidëve e të moshuarve të Kosovës, tha se kanë kundërshtuar që nga fillimi i hartimit të Ligjit për skemat pensionale sepse janë konstatuar shumë mangësi dhe nuk është kompatibil me shtetet e rajonit dhe Evropës, raporton Ekonomia Online.

“Ligji për skemat pensionale ka mangësi diskriminuese, neni 8, lusim institucionet ta heqin ose riformulojnë se u pranohet stazhi i të larguarve nga puna në vitet ‘90-99 me masa të dhunshme. Serbët e sjellur në punë të kenë të drejtën e 20 për qindëshit, ndërsa të larguarit jo. Kjo është e dëmshme për Kosovën”.

Ndue Kolaj, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), tha se duhet të eliminohen elementet diskriminuese nga ky ligj.

Ai tha se u janë drejtuar komisioneve të caktuara, qeverisë e medieve, por s’ka pasur rezultat.

Ai shtoi se nëse nuk eliminohet ky nen, do të takohen me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe t’u tregojnë se Kosova mban ligje diskriminuese për qytetarët e saj.

Kolaj deklaroi se do ta padisin Qeverinë dhe Kuvendin për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Hapin tjetër që e kemi pasë nëse s’ka sukses eliminimi i kësaj dispozite, do t’i njoftojmë edhe ambasadorët e QUINT-it se Kosova po mban ligje diskriminuese dhe do të padisim qeverinë e parlamentin për shkelje të të drejtave të njeriut dhe do të dalim para qeverisë e kuvendit t’u themi stop. Trajtoni njerëzit ashtu siç duhet trajtuar. Uluni, nisjani”.

Hysen Ajeti, përfaqësues i ish-sindikatës së Policisë së Kosovës, tha se ekziston përshtypja se deputetët nuk e kanë lexuar fare këtë ligj kur e kanë aprovuar.

“Shqetësimi momental është neni diskriminues 8, pika 6. Kemi njerëz që shkojnë me 75 euro në pension, i ka 10 anëtarë të familjes. Në bazë të bisedave me deputetë e kam krijuar përshtypjen se nuk e kanë lexuar ligjin, vetëm ka ngritur dorën për të votuar. Ky ligj është punuar pa u konsultuar boll dhe për interesa të grupeve. Arsimi është fuqi, i ka 23 mijë punëtorë, secili nga 3 a 4 anëtare të familjes. Diskriminues është ky ligj shumë i theksuar. Punëtorëve të shëndetësisë nuk i pranohet stazhi edhe pse shkruhet aty. Te pika ku thuhet “të tjerëve” kemi dyshime se mund të keqpërdoret për t’iu rregulluar dikujt. Si komision në mënyrë urgjente neni 8 të ndryshohet dhe reformat të vazhdojnë”.

Shaban Kelmendi tha se qeveria po e mban peng dokumentacionin për pensionet.

“Propozimi i komisionit ka qenë të formohet fondi pensional dhe shënimet të dërgohen në Strasburg. Këtë nuk e kanë bërë ministriat. Strasburgu ka pru vendim me ua pagu pensionet prej kur ia kanë ndalur. Ka pru edhe vendimin tjetër me ua pagu kompenzimin 130 mijë punëtorëve të larguar nga puna. Serbia nuk i ka borxh buxhetit por njerëzve, qeveria e Kosovës e ka bllokuar dokumentacionin, nuk e jep. E kam paditë qeverinë dhe vendimi ka qenë që me m’i dhënë brenda 30 ditëve. Qeveria pastaj më ka thënë se do ta bëjmë bashkë por po e zhagit, do ta padis prapë”.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, tha se politka kosovare ka qenë diskriminuese ndaj pensionistëve.

“Jam në anën e juaj prej fillimit deri në fund. Politika në Kosovë ka qenë diskriminuese duke marrë ekspertë të jashtëm nga Suedia që kanë ndikuar në ligjet e para të pensioneve. Prej atëherë pensionistët janë të diskriminuar. E mbroj të drejtën e juaj. Duhet ta ngrisni zërin edhe te presidenti”.

Enver Hoti nga Nisma tha se për t’u zgjidhur kjo çështje duhet të ketë vullnet politik.

“Këtu duhet me pasë vullnet politik. Për me ndryshu këtë nen mundemi me vajtu por a e kemi izën e shefave tonë për m’i marrë këto masa nuk e di. Me dhjetëra mijëra euro që është dashur të shkojnë në ekonomitë familjare. Mund të garantoj që si parti të punojmë fuqishëm në ndryshimin e këtij neni. Ju sindikatar jeni pështjellë, keni dalë nga roli”.