Pendarovski: Nuk do të preken më kufijtë e rajonit

Kandidati për President të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, ka thënë se kufijtë e regjionit nuk do të preken më. Ai ka thënë se bashkëpunimi rajonal është mundësia e vetme për tu anëtarësuar në BE.

Lajme

23/04/2014 18:33

Kandidati për President të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, tha  se nuk do të ketë më ndryshim të kufijve në regjion.

Pendarovski ka thënë se nëse shtetet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, janë stabile, të sigurta, të suksesshme dhe mund të qojnë vetëm mesazhe pozitive, atëherë, sipas tij, nuk ka arsye për të besuar se çështje negative do të ndodhin në Maqedoni.

“Të gjitha vendet kryesore në botë kanë thënë se kufijtë në rajon nuk do të preken më. E di se një pjesë e njerëzve nuk janë të kënaqur me këtë, por kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, tha Pendarovski, raporton KosovaPress.

Pendarovski,  i cili është në garë për President të Maqedonisë, tha  se do të angazhohet për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë pavarësisht etnisë apo bindjes së tyre politike, edhe në rast se do të dal humbës në zgjedhje.

Ai ka thënë se mundësia e vetme për tu anëtarësuar në BE, është bashkëpunimit rajonal.

“Le t’i orientojmë politikat tona drejt bashkëpunimit dhe të provojmë të arrijmë atje të bëhemi pjesë e strukturave evropiane. Nuk ka tjetër alternativë, po flas për alternativat e qëndrueshme që vendet tona mund të jenë shtete të suksesshme dhe stabile dhe njerëzit më të lumtur nëse në nuk jemi pjesë e integrimit euroatlantik”, deklaron ai, gjatë një ligjëratë para studentëve Universitetit AAB.

Në zgjedhjet e balotazhit për President të Maqedonisë, kanë mbetur në garë Gjorge Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga opozita maqedonase LSDM.

(KosovaPress)