Pemëtaria, prioritet i Ministrisë së Bujqësisë

Më subvencionet që jep Ministria e Bujqësisë ka pasur zhvillim të mirë sektori i pemëtarisë, sidomos pemët e imta.

Lajme

07/08/2017 23:28

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, në të gjithë sektorët ka pasur rritje, por kanë veçuar sektorin e pemëtarisë.

Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë ndër vite është rritur e rrjedhimisht është rritur edhe përkrahja ndaj bujqve.

Për këtë vit, buxheti i granteve dhe subvencioneve i kësaj ministrie është 46 milionë euro.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, tek të gjithë sektorët ka pasur rritje, por më së shumti te sektori i pemëtarisë, konkretisht pemët e imëta.

“Në përgjithësi tek të gjithë sektorët ka pas lëvizje, po do ta kisha veçu sektorin e pemëtarisë, e brenda këtij sektori, e kisha veçu në nsektorin e pemëve të imëta e cila ka pas një zhvillim më të hovshëm, sidomos te zgjerimi i sipërfaqeve të reja si me dredhëza, ashtu edhe me mjedër edhe me kultura tjera të pemëve të imëta, edhe me boronicë që ka pas sipërfaqe shumë të pakët e tash me sipërfaqe më të madhe edhe me manaferra etj”, deklaroi Isuf Cikaqi nga Ministria e Bujqësisë.

“Sipas analizave që ne kemi bërë sidomos te pemët e imëta, njëri prej faktorëve, se këto hynë shpejtë në prodhim, po edhe kërkesa në treg sidomos për eksport ka qenë në rritje, për pemët e imëta”, tha Cikaqi.

Sipas tij, mbjellja e lajthisë dhe arrës është simbolike deri tani, por që ka filluar të rritet interesimi edhe për to. Mbjellja e tyre, sipas tij, mbështetet vetëm me subvencione, pra me pagesë direkte për hektar të mbjellë.

“Sipas informacioneve, sipërfaqet janë mjaft simbolike, një ndër kulturat që kanë mas paku sipërfaqe, por që janë me interes, viteve të fundit tash ka pa interesim për ngritjen e sipërfaqes sidomos me arrë… me subvencione ne kemi filluar me mbështet sektorin e pemëtarisë, njëkohësisht edhe kulturën e arrës dhe lajthisë, me 400 euro për hektar ashtu siç e potencova edhe më herët për të gjitha llojet, aty hyn edhe lajthia edhe arra”, tha Cikaqi.

Para disa muajsh, u hap edhe një fabrikë në vend për përpunimin e lajthisë dhe arrës, ku pronarët e saj theksuan se sfida më e madhe është sasia e vogël e kultivimit të këtyre pemëve./rtk/