Pellegrini sfidon Liverpoolin e Chelsean për titull

Manuel Pellegrini është i bindur se Liverpooli dhe Chelsea do të lëshojnë pikë, në xhirot e fundit të kampionatit, siç bëri edhe Manchester City ndaj Sunderlandit. Trajneri kilian beson ende në titull të kampionit.

Sport

18/04/2014 23:03

Menaxheri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini është absolutisht i sigurt se Liverpooli dhe Chelsea do të sfidohen nga ekipi i tij, në luftën për titull të kampionit në Premierligë.

Shpresat e Cityt u zvogëluan pas barazimit në shtëpi ndaj Sunderlandit, 2:2, por trajneri kilian beson ende se Citizens mund ta fitojnë titullin e kampionit.

Aktualisht, ekipi i dytë nga qyteti i Manchesterit ka gjashtë pikë më pak se lideri Liverpool, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Jam absolutisht i sigurt se ekipet tjera do të humbin pikë në të njëjtën mënyrë siç bëmë edhe ne në ndeshjen e fundit. Kemi 15 pikë në lojë dhe do të mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë”, deklaroi fillimisht ish trajneri i Real Madridit.

“Më pas, në fund të sezonit, ne do ta shohim se kush do ta ketë titullin në dorë. Të gjithë ne duam të fitojmë sa më shumë që mundemi. Ne duhet të mundohemi ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë”, përfundoi ai.