Peja shkon në finale

Peja është kualifikuar në finale të ‘Play-Offit’ në ETC Superligë pasi e eliminoi Bashkimin, ndaj së cilit fitoi 115:95, në përballjen e tretë në mes të këtyre dy skuadrave.

Sport

18/05/2014 22:16

Pas Sigal Prishtinës, Peja është finalisti i dytë i ‘Play-Offit’ të ETC Superligës së Kosovës në basketboll.

Skuadra verdh e zi ia doli ta mposht Bashkimin të dielën mbrëma me rezultat 115:95, në duelin e tretë, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve gjysmëfinale në 2-1.

Drilon Hajrizi ka qenë lojtari më në formë tek Peja, duke shënuar 33 pikë.

Në anën tjetër, Hysenagolli e Lampley shënuan nga 23 pikë, por kjo nuk i kreu aspak punë ekipit nga “Sezai Surroi”.

Në finale, Peja do të përballet me Sigal Prishtinën, e cila pa problem e kishte eliminuar Trepçën.