Peja nuk është qytet i sigurt për të jetuar

Qytetarët e Pejës do të dalin të premten në një protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me rastet e shumta të vrasjeve në këtë qytet. Protesta vjen si pasojë e mosreagimit institucional, thonë organizatorët e kësaj proteste.

Lajme

26/03/2014 17:19

Veton Mujaj nga OJQ Syri Vizion, në një intervistë për emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës tha se rasti i fundit ku u vranë dy persona, por edhe të gjitha rastet e vrasjeve që kanë ndodhur në qytetin e Pejës që nga paslufta, nuk janë thjesht përgjegjësi e individëve por se në këto raste duhet të ketë përgjegjësi më të madhe institucionale.

Ai thotë se duhet kërkuar faji tek institucionet për atë se çka po ndodhë në Pejë.

“Raste të tilla që po ndodhin në Pejë që 15 vjet me të vërtetë nuk mund t’i quajmë më vetëm elemente të caktuara të individëve të familjarëve, por thjesht po pësojnë qytetarët dhe nuk është hera e parë që po pësojnë qytetarët”.

“Këtu duhet të kemi përgjegjësi më të madhe institucionale”.

“Një pjesë më e madhe e rasteve, shumë raste po ndodhin në qendër të qytetit ku po vriten edhe kalimtar të rastit. Kjo është shqetësuse”.

“Praktikisht duhet kërkuar faji tek institucionet për ata çka është duke ndodhur në Pejë”.

Ndërkaq, Uran Bekqeli, bashkorganizator i protestës thotë se policia nuk kishte reaguar fare në rastin e fundit në Pejë.

Ai thotë se policët janë të frikësuar dhe nuk kanë fuqi që t’i mbrojnë qytetarët e pejsës. Ai kritikon po ashtu krerët institucional që nuk kanë reaguar fare për vrasjen e fundit në Pejë.

“Sa për ironi aty 10 metra larg ishte makina e policisë me polic brenda dhe gjithë qyteti ka qenë dëshmitarë se policët kanë qëndruar në makinë dhe nuk kanë lëvizur”.

“Janë edhe kamerat e qytetit dhe kamerat e bankave. Ata janë frikësuar, policia do të thotë nuk po ka më fuqi që të na mbrojë ne si qytetarë të Pejës.

“Ironia tjetër është që po atë ditë Kryeministri Thaçi dërgoi telegram ngushëllimi Erdoganit për 3 persona të vrarë në Turqi derisa në Pejë, 8 persona ishin të vrarë edhe pse 2 vdiqën ata të tjerët mbetën gjallë”.

“Askujt nga institucioneve të Kosovës nuk i ra ndërmend t’i vizitojë por së paku që të dalë në media dhe të jap sqarime për këtë punë.”

Bekqeli deklaroi në Info Magazinë të Klan Kosovës se Peja nuk është vend i sigurt për të jetuar. Ai tha se protesta e së premtes, vjen si pasojë e mosreagimit institucional.

“Protesta vjen pas mosreagimit të institucioneve përgjegjëse duke filluar nga Policia dhe Ministria e Mbrojtjes, te Presidentja e shtetit sepse ne jemi qytetarë të këtij vendi, sepse ky rast kaloi totalisht në heshtje. Ne jemi këtu t’i informojmë qytetarët e Kosovës se ne në Pejë nuk jemi më të sigurtë të jetojmë.

“E kemi hapur faqen zyrtare në rrjetet sociale, që protesta do të jetë në ora të premten. Protesta pas këtij akti të fundit që ndodhi në qendër të qytetit, që lirisht mundemi t’i themi akt terrorist, ku në atë kohë ishin shumë nxënës kalimtar të rastit, dhe u krijua një panik e madhe”.

“Ne jemi të trishtuar dhe të frikësuar”, tha Uran Bekqeli për Klan Kosova.