PDK vendos për Skenderaj, Sami Lushtaku garon edhe për një mandat

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tashmë ka vendosur se kush do jetë kandidat për kryetar të Skenderajt. Edhe pse nuk është bërë publike, vendimi tashmë ekziston.

Lajme

16/08/2017 13:37

Sami Lushtaku do të garojë edhe për një mandat për kryetar të Skenderajt. Burime të sigura brenda PDK-së në qendër, kanë bërë me dije për Magazina.al se Lushtaku është përzgjedhja e Kadri Veselit për të udhëhequr me komunën e cila njihet si baza më e fortë e PDK-së.“Vendimi për Sami Lushtakun është definitiv. Pritet vetëm të bëhet zyrtar”, ka thënë për Magazina.al një burim brenda PDK-së.

Merret vesh se kryetari i Skenderajt fillimisht ka refuzuar kandidaturën duke qenë se edhe më herët kishte deklaruar se më nuk do t’i hyjë gares, por ka qenë insistimi i udhëheqësve të partisë që ajo të garojë edhe në këtë mandat.

Duke e parë se disa figura, siç janë Nuredin Lushtaku, Faruk Geci, Fadil Nura dhe Mihane Bekteshi janë përmendur si kryetar të ardhshëm të Skenderajt, PDK sipas burimeve të Magazina.al ka realizuar një sondazh; rezultati i të cilëve ka nxjerrë të pakonkurrencë Sami Lushtakun.

Prandaj partia në qendër ka këmbëngulur që Lushtaku të jetë i përzgjedhuri dhe se kandidatura e tij është e vetmja që mund të ndikojë në tensionet eventuale brenda degës së PDK-së në Skenderaj.

Megjithatë tensionet duket se do të ketë edhe në këtë degë.