PDK thotë se Fondi Pensional mund të përdoret për Fondin e Punësimit

Paratë e Trustit Pensional mund të shfrytëzohen për krijimin e Fondit të Punësimit, thotë nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një reagim ndaj deklaratës së kryetarit të bordit të këtij Trusti, i cili ka thënë se mjetet e Trustit nuk bën të preken pasi këtë nuk e lejon rregullativa aktuale ligjore. 

Lajme

29/05/2014 18:35

Nënkryetari Krasniqi ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Bordit të Trustit Pensional, Ymer Havolli, rreth investimit të kursimeve të Trustit në Kosovë. PDK në programin e vet zgjedhor ka planifikuar që këto mjete t’i investojë për zhvillimin ekonomik të vendit.

“E lexova një deklaratë të z. Ymer Havolli, i cili ka të drejtë kur thotë që korniza aktuale ligjore e kufizon mundësinë e përdorimit të Trustit për Fondin e Punësimit. Mirëpo, ish punëtori i Isa Mustafës në Riinvest \’harron\’ të tregojë që Kuvendi i Kosovës ka autoritetin kushtetues për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për ta jetësuar projektin tonë të Fondit të Punësimit”.

“Që kur e kemi shpallur Fondin e Punësimit e kemi bërë të qartë që do të bëjmë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të ligjeve ekzistuese dhe reforma legjislative të posaçme për ta mundësuar këtë fond jetik për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka deklaruar Krasniqi në një postim në faqen e tij në Facebook.