PDK prezanton ‘provat’ e manipulimeve të VV-së gjatë zgjedhjeve lokale në Prizren

Gjatë një konference për media, Blerand Stavileci i PDK-së, ka thënë se në zgjedhjet lokale ka pasur parregullsi.

Lajme

30/11/2017 11:22

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka manipuluar dhe shantazhuar në Prizren.

“Ka fakte që njerëz të VV-së kanë manipuluar në Prizren. Këmbëngulja e VV-së për mos rinumërim të votave na e forcon dyshimin që votat janë manipuluar. Bëjmë thirrje që të ketë rinumërim të votave. Në provat që ne i kemi siguruar vrehen veprime te dyshimta dhe vërtetohet se si në mënyrë të paligjshme kryhen veprime brenda qendrave të votimit. I ftojmë organet kompetente të merren me këto prova që do t’i prezantojmë”, ka thënë Stavileci, raporton lajmi.net.

Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në KQZ ka thënë se gjatë numërimit të votave me kusht kanë munguar tri zarfe të votave.

“Në Prizren është përdorur treni bullgar. Në ditën e zgjedhjeve më 19 nëntor ka pasur asamblistë të VV të cilët janë paraqitur si vëzhgues por që nuk kanë qenë të akredituar”, ka thënë Gjoshi.

Sipas tij, PZAP duhet të hetojë faktet e paraqituar siç është mungesa e disa zarfeve duke shtuar se do të paraqesin ankesa nga PZAP.

Anëtarët e PDK-së kanë thënë se votat janë bartur nga një aktiviste e Vetëvendosjes, me emrin Dafina Morina e cila nuk ka pasur të drejtë t’i bartë kutitë pasi ka qenë vetëm vëzhguese./Lajmi.net/

24259500_1762885073762733_814947395_o 24259371_1762885193762721_660064970_o