“PDK po lufton për të mbetur në pushtet”

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), shkruan se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po lufton në shumë mënyra për të mbetur në pushtet në Kosovë.

Lajme

28/07/2014 10:31

Gazeta përkujton se partia e Thaçit ka fituar më së shumti vota, por partitë e tjera shqiptare, përkundër diferencave, janë bashkuar në një aleancë për të penguar Thaçin. Sipas kësaj analize, në shikim të parë shkuarja e Thaçit dhe ardhja e Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit nuk ndryshon gjë.

“Një lider cubash shkon, tjetri vjen. Por, në fakt disa gjëra do të ndryshojë nëse opozita e bashkuar arrin ta dëbojë Thaçin nga pushteti. Koalicioni heterogjen kundër Thaçit do të duhej të mbështetej në shefin e Vetëvendosjes Albin Kurti, një politikan që luhatet mes popullizmit të vjetër jugosllav të subvencioneve dhe nacionalizmit shqiptaromadh, të cilin elita në Prishtinë bashkë me BE-në dhe SHBA-të e kanë mbajtur larg nga pushteti. Kurti angazhohet për politikë të pakompromis ndaj Serbisë”, shkruan FAZ, raporton gazeta Blic.

Kjo gazetë citon vëzhgues të pavarur në Prishtinë, të cilët e përshëndesin një koalicion qeveritar të kryesuar nga Haradinaj. Kjo qeveri do të ishte nën vëzhgimin e rreptë të Vetëvendosjes dhe nuk do të arrinte t’i kapte institucionet shtetërore, siç ka bërë PDK e gjithëpushtetshme. Por, shton FAZ, njëherë Kosova duhet të pres vendimin definitiv të Gjykatës Kushtetuese sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit.

Gjykata Kushtetuese, e cila sipas FAZ drejtohet nga Enver Hasani, një besnik i PDK-së, e ka pezulluar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sepse, siç shkruan gazeta gjermane, për PDK-në çështja është të humb apo të fitojë gjithçka. Për të mos humbur pushtetin, kjo parti po planifikon të provokojë zgjedhje të reja nëse nuk arrin të mbajë pushtetin.

“Në rast se e humb pushtetin, PDK humb kontrollin mbi ministritë dhe mbi institucionet që vetëm sa për sy e faqe duhet të qëndrojnë mbi partitë politike, siç janë Gjykata Kushtetuese, Policia, autoritetet e licencimit, dogana dhe mediat publike”.