PDK nuk ka vendosur lidhur me kërkesën e Bllokut për seancë

Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se blloku nuk mund të thërrasin seancë pa u zgjedh organet udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës. Ai për lajmi.net ka thënë se PDK ende nuk ka diskutuar për iniciativën e bllokut, për ta thirrur seancën.

Lajme

03/10/2014 15:49

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk e ka diskutuar mundësinë për pjesëmarrjen e tyre në seancën e thirrur gjatë javës së ardhshme nga koalicioni LAN dhe Vetëvendosje.

Partitë e bllokut LAN dhe VV, kanë paralajmëruar se kanë mbledhur mbi 60 nënshkrime që, sipas tyre, u mundëson thirrjen e seancës, të cilën ata planifikojnë të mbajnë me 9 tetor.

Por, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti për lajmi.net ka thënë se blloku mund të thërras seancë vetëm pasi të zgjidhet organet e Kuvendit të Kosovës .

“Ne kemi një organ i cili vendos politikisht, që është kryesia e partisë dhe këshilli drejtues, dhe varësisht nga vendimet e partisë, ne si grup parlamentar do të veprojmë”.

“Ata të drejtën me thirr e kanë vetëm kur të zgjidhet kryesia e kuvendit, kryetari dhe nënkryetarët. Pa u zgjedhur këta, blloku nuk mund ta thërras seancën” .

“Sikur të kishin qenë këta të zgjedhur, blloku me 40 nënshkrime ka të drejtë me mbajt seancë debati”.

“Dhe mbi bazën e debatit në qoftë se janë më shumë se 60 deputetë edhe mund të votojnë”, ka thënë Haliti për lajmi.net.