PDK: Lutfi Haziri të mos aktrojë, por t’i mbrojë punëtorët

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan ka reaguar rreth situatës në Kompaninë "Eko-higjiena" si dhe për largimin e punëtorëve nga puna. PDK ka kërkuar që kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri të mos akrojë, por të mbrojë interesat e punëtorëve.

Lajme

23/03/2017 16:09

Në komunikatën e dërguar për media thuhet se kryetari i Komunës së Gjinalit, Lutfi Haziri nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për problemet rreth  „Eko-higjienës”.

“Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, qe një kohë të gjatë po i ndjek zhvillimet në Kompaninë “Eko-Higjiena” dhe shprehë shqetësimin e sajë për gjendjen në këtë kompani, e në veçanti për largimin e punëtorëve nga puna.  Mosmarrëveshjet në mes dy partnerëve në këtë kompani; Komunës së Gjilanit dhe “Moser Group” nga Austria, kanë krijuar një situatë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për Komunën, qytetarët,  e sidomos për punëtorët, të cilët janë viktimat e vetme në këtë rast”thuhet në reagimin e degës së PDK-së, transmeton lajmi.net.

Më tej në këtë reagim thuhet se përkundër respektit dhe mirëkuptimit të kësaj partie për investitorin privat, ai duhet ta respektojë dhe përmbush marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat (PPP), të respektojë të drejtat e punëtorëve ashtu siç parashihet me Ligjin e Punës.

“Ndërkaq, kryetari i Komunës Lutfi Haziri, duhet t’i jep fund aktrimit që po e bënë me pompozitet përmes mediave, duke u shtirur si „engjëll” mbrojtës i punëtorëve. Gjithashtu, ai, përveç tjerash, duhet të jep përgjegjësi edhe për zvarritjen e tenderit – kontratës, që nga 1 korriku 2016, për mirëmbajtjen e  hapësirave publike e gjelbëruese, parqeve,  shesheve  dhe pastrimit të rrugëve, e në anën tjetër, kjo punë, që prej atëherë, në mënyrë të kundërligjshme – pa kurfarë tenderi – kontrate të punës, vazhdon të bëhet përmes punëtorëve të kompanisë „Eco-higjiena”, duke i mashtruar ata për pagesë retroaktive, ndonëse fati i tyre është i lidhur me këtë aktivitet”thuhetnë komunikatën e PDK-së.

Në fund, PDK thotë se kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka përgjegjësi institucionale për monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij Partneriteti Publiko-Privat, e jo ta zhvendos vëmendjen gjetiu. /Lajmi.net/