PDK: Kërcënimet e kryetarit të Mitrovicës, tragjike për demokracinë

Dega e PDK-së në Mitrovicë, përmes një komunikate ka bërë me dije se me keqardhje dhe indinjatë të thellë është njoftuar për sulmin e sotëm verbal të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ndaj Grupit Parlamentar të PDK-së në Asamblenë Komunale dhe asamblistit Gazmend Muja. 

Lajme

29/05/2014 20:30

PDK e ka cilësuar këtë si një ngjarje tragjike për demokracinë në Mitrovicë dhe si shkelje më drastike e vlerave të demokracisë. Sipas vlerësimit të PDK-së, kjo sjellje është njëra ndër skandalet më të mëdha të këtij kryetari, që nga marrja e pushtetit, të cilat janë pothuajse të përhershme.

“Deklarata në mënyrën më të kulturuar e asamblistit Gazmend Muja se nga sot nuk është pjesë e AKR-së, partisë që i takon Agim Bahtiri, por bëhet pjesë e partisë në opozitë, PDK-së, e bëri Bahtirin që të reagojë në mënyrën më brutale dhe më banale, duke u kërcënuar edhe fizikisht, jo vetëm ndaj asamblistit Muja, por edhe ndaj të gjithë asamblistëve dhe anëtarësisë së PDK-së”.

Grupi i asamblistëve të PDK-së në Mitrovicë, në shenjë proteste ndaj sjelljes brutale të Agim Bahtirit dhe fjalorit banal e shpifës se Gazmend Muja është hajn dhe se hajnat shkojnë tek hajnat, e braktisi sallën e Asamblesë Komunale dhe në dalje nga salla morën edhe ata kërcënime dhe ofendime nga Bahtiri.

“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se braktisja e mbledhjes edhe nga asamblistët e grupeve të tjera parlamentare: Vetëvendosje, Partia e Drejtësisë dhe Të pavarurit, paraqet nivelin e lartë të pjekurisë politike, për çka Dega e PDK-së i falënderon, ndërsa, në anën tjetër, dënojmë ashpër sjelljet jodemokratike dhe jo civilizuese të kryetarit Bahtiri, duke shprehur shqetësimin tonë të thellë me atë që po ndodh me demokracinë në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.

“Ne vlerësojmë se Mitrovica, si qyteti me specifikat e veçanta në gjithë Kosovën nuk ka merituar një udhëheqje të tillë, për çka shihet edhe zhgënjimi tepër i madh i pjesës dërmuese të qytetarëve. Sjellja aq brutale e kryetarit Bahtiri, deri në atë shkallë sa që është denoncuar në polici, është shqetësuese edhe për sigurinë e vetë asamblistëve, nga se, siç shihet, ky njeri ka probleme me vetveten”.

PDK thotë se rasti i sotëm do të shqyrtohet në detaje dhe do merret qëndrim se si të veprohet në mbledhjet e ardhshme.