PDK-ja me dy kandidatura, Thaçin dhe Kuçin

PDK-ja ka bërë gati dy kandidatura për drejtimin e ekzekutivit dhe legjislativit të ri, përkatësisht Hashim Thaçin dhe Hajredin Kuçin. Për drejtuesit e bllokut opozitar kjo është vetëm ëndërr e Thaçit.

Lajme

24/06/2014 09:49

Partia Demokratike e Kosovës i ka dy “xhokerë” për drejtimin e dy institucioneve kryesore të vendit, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se blloku opozitar, LDK, AAK, “Vetëvendosje” dhe Nisma, e kanë vënë në mat pozicion partinë e Hashim Thaçit, shkruan gazeta “Zëri”.

Partia e këtij të fundit dhe blloku opozitar pritet që “t’i thyejnë shtizat” jo vetëm për mandatarin për kryeministër, por edhe për pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Pozita e kryeparlamentarit pritet të jetë ballafaqimi i parë dhe më i fortë në mes PDK-së me paktin opozitar, që sipas një marrëveshje përbën shumicën e numrave në Kuvendin e Kosovës.

PDK-ja e Thaçit, e cila sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 8 qershorit doli subjekti i parë, përveç Hashim Thaçit nuk do të ketë kandidat tjetë nga radhët e kësaj partie për postin e kryeministrit.

Derisa gazeta merr vesh se po shqyrton mundësinë që Hajredin Kuçin ta propozojë për pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, është blloku opozitar ai që thotë se do ta kenë shumicën në Kuvend dhe mbi këtë bazë të kërkojnë që Isa Mustafa të jetë kryetar i Kuvendit dhe mandatar për qeverinë e re të jetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke ia marrë të drejtën Hashim Thaçit, shkruan “Zëri”.