PDK-ja e përgatitur për dy skenarë të mundshëm

PDK dhe kryetari i saj Hashim Thaçi, janë duke menduar për skenarët e mundshëm pas prezantimit të interpretimit. Sipas këtyre burimeve ata janë duke e analizuar situatën që nuk do t’i linte jashtë Qeverisë, cilido që të jetë vendimi i Kushtetueses.

Lajme

29/06/2014 10:16

Gjykata Kushtetuese është në fazën e përgatitjes së interpretimit në pyetjet e presidentes Atifete Jahjaga lidhur me çështjen e mandatarit. Sipas gazetës Tribuna, në këtë fazë, pos opozitës, që pretendon të marrë qeverisjen e vendit, duarkryq nuk po rri as subjekti fitues i zgjedhjeve të 8 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës.

Tribuna merr vesh se PDK dhe kryetari i saj Hashim Thaçi janë duke menduar për skenarët e mundshëm pas prezantimit të interpretimit. Sipas këtyre burimeve ata janë duke e analizuar situatën që nuk do t’i linte jashtë Qeverisë, cilido që të jetë vendimi i Kushtetueses.

Në këtë rast janë duke u diskutuar dy skenarë të mundshëm. “Skenari i parë është se nëse kushtetuesja jep interpretim se PDK-së i takon dy herë të provojë krijimin e Qeverisë, atëherë PDK do ta shfrytëzojë këtë interpretim, duke ia bërë qartë edhe opozitës se këtu definohet edhe çështja e kryeparlamentarit. Kjo pasi që në një situatë të tillë do të sqarohej edhe çështja sa i përket shumicës në Kuvend, që në këtë variant i bie partisë që ka fituar më së shumti vota”, ka thënë burimi. Por po ky burim ka shpjeguar edhe skenarin e dytë, për të cilin PDK mendon ta përdorë si instrument bllokimi.

“Skenari i dytë mund të jetë ai që gjykata t’i japë të drejtën partisë fituese që njëherë të provojë krijimin e qeverisë. dhe, nëse dështon, atëherë këtë ta bëjë i dyti, në këtë rast opozita. Nëse vihet deri në këtë situatë, PDK po mendon ta bllokojë konstituimin e Kuvendit përmes zgjedhjes së kryeparlamanterit. Këtë planifikon ta bëjë duke e dërguar për interpretim në Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit me anë të deputetëve të cilët pritet të betohen para se të votohet për kryetarin e Kuvendit”, ka sqaruar me tej burimi i gazetës Tribuna.