PDK i thotë po takimit, Blloku hamendet

Presidentja Atifete Jahjaga, nuk ka marrë ende konfirmimet nga të gjithë liderët e partive të përfaqësuara në Kuvend, rreth nismës së saj për realizimin e një takimi të përbashkët.

Lajme

05/11/2014 08:49

Aktualisht, vetëm kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur publikisht gatishmërinë e tij që t’i përgjigjet ftesës së presidentes.

Përderisa partitë e bllokut paszgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, nuk po shprehin ndonjë interesim për këtë takim.

Ndërkohë, këshilltari politik dhe zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka vlerësuar se takimi i përbashkët i liderëve do të ishte në funksion të tejkalimit të krizës aktuale politike në vend.

Ndërsa nuk ka konfirmuar nëse Jahjaga do të thërrasë këtë takim gjatë kësaj jave, si vendimtare për gjetjen e zgjidhjes, Vllahiu ka rikujtuar për Tribuna se kriza politike tashmë po rrezikon të shndërrohet edhe në krizë financiare e buxhetore.

“Sa më gjatë të shkojë kjo situatë aq më e thellë do të bëhet kriza dhe aq më shumë do të rrezikohet mirëqenia e qytetarëve. Ekspertët e ekonomisë thonë se për shkak të situatës së krijuar rënia ekonomike është e madhe, po aq sa edhe investimet e huaja dhe kjo situatë do ta rëndojë vendin posaçërisht vitin e ardhshëm, kurse pasojat do të ndjehen edhe në vitet në vijim”, ka theksuar Vllahiu.